2010/06/14 - 12:00
Juria në përbërje, Selman Jusufi, Iliriana Arifi dhe Sabit Idrizi kanë shpallur fitues të Festivalit të Komedisë që u mbajt javën e kaluar në Mitrovicë shfaqjen "Sot për nesër" të autorit Lutfi Lepaja me regji të Agron Gërgurit dhe të interpretuar nga Teatri i qytetit të Podujevës. Ndërsa komedia "Burri është burrë" e interpretuar nga "Teatri i të Rinjve" të Preshevës, zuri vendin e dytë, përderisa vendi i tretë i takoi shfaqjes "Fakiri i madh" në interpretim të teatrit "Naser Kodra" nga Skenderaj. Në këtë festival u shpallën edhe çmime për individ, me ç’rast roli më i mirë i mashkullit i takoi Xhemajl Lutës nga Prishtina, roli më i mirë i femrës Haxhije Rushitit nga Presheva, veterani më i suksesshëm u shpall Ramadan Orata nga Podujeva, ndërkaq çmimin e aktores dhe aktorit që premtojnë e fituan Qëndresa Kajtazi nga Skenderaj, gjegjësisht Përparim Ismajli nga Dardana. Iliriana Arifi, anëtare e jurisë, u shpreh e kënaqur përderisa ka parë mjaft përpjekje nga aktorët e rinj për të shprehur talentin e tyre. Sipas saj, është për t’u përgëzuar iniciativa e këtij organizimi që ka bërë Mitrovica përkundër problemeve që ka. "Kjo forcë dhe ky vullnet i mitrovicasve më ka dhënë energji edhe më të madhe që unë të vazhdoj më tutje punën time si artiste", ka thënë Arifi. Ndërsa Halit Baranit, drejtor i teatrit profesionist "Sandër Prosi" në Mitrovicë, tha se Festivali i Komedisë që është mbajtur në kuadër të aktivitetit tradicional "Ditët e Kulturës" ka arsyetuar dhe kënaqur plotësisht artdashësit. "Një eveniment i tillë është shumë i nevojshëm për qytetin e Mitrovicës". Këtë festival tradicional të organizuar nga teatri profesionist "Sandër Prosi" nga Mitrovica e ka përkrahur Ministria e Kulturës dhe DKRS – Mitrovicë, ndërsa sponzorë ishin edhe SHPK Bamex, DPT Beni & Edi, Lin Projekt dhe Toto Sport.