Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Të eliminohen mangësitë ligjore për funksionimin e komunave

2012/01/11 - 12:00

Eliminimi i të metave të ligjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me funksionimin e komunave, në radhë të parë me kontradiktat që ekzistojnë ndërmjet ligjeve, është një prioritet për të cilin duhet angazhuar të gjithë. Kështu vlerësoi të mërkurën, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati,  në një takim me Kelmend Zajazin, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të asociacioneve të komunave për Evropën Juglindore. Kryetari Kastrati, tha se konfuzioni ligjor shpeshherë është duke u shndërruar në pengesë për komunat. “Duke parë problemet në këtë drejtim, mendoj se organizatat e ndryshme sikur që është Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), duhet që të fokusohen në sanimin e defekteve ligjore që bëhen pengesë për efikasitetin e komunave”.

Në anën tjetër, ai ka vlerësuar pozitivisht punën e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Tha se është duke bërë punë të mirë për çka meriton edhe përkrahje të vazhdueshme.

Ndërsa, Kelmend Zajazi, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të asociacioneve të komunave për Evropën Juglindore me seli në Shkup, sqaroi se qëllimi i vizitës së tij është të vlerësoj nivelin e bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe asociacionit të tyre. “Ne do të vizitojmë disa komuna të Kosovës për të parë disponimin e drejtuesve komunalë me punën që bën AKK-së”.

Tha se në përgjithësi vërehet një bashkëpunim i mirë, por ka nevojë që komunat të jenë edhe më bashkëpunuese, duke pasur parasysh ritmin e ngadaltë të përmbushjes së obligimeve materiale ndaj AKK.   

Ai tha se AKK është një prej organizatave shumë efikase në krahasim me simotrat e saj në shtetet tjera të Evropës Juglindore. “Është një organizatë që ka një sistem shumë të mirë të organizimit dhe është duke kryer punë të mira”.