2010/10/13 - 12:00
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati i shoqëruar nga nënkryetari Riza Haziri, ka pritur të mërkurën në takim komandantin e KFOR-it, gjen. Erhard Buhler dhe komandantin e Batalionit Shumëkombësh në veri, kol.Frank Barrera, me të cilët ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë, me theks të veçantë për situatën e sigurisë pas shtimit të masave të sigurisë. Kryetari Kastrati ka shprehur mirënjohje për angazhimin shtesë të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në veri, meqë gjendja e krijuar atje për dhjetë vjet rresht ka sjellur në një situatë të patolerueshme më tej. “Mosfunksionimi i rendit dhe ligjit, veprimi i strukturave paralele, grupeve kriminale etj, ka bërë që situata të jetë ashtu si është sot”, tha kryetari Kastrati, duke shtuar se për këtë është përgjegjës administrata e UNMIK-ut në veri që nuk e ka kryer punën e vet.
Ai theksoi se shumë më herët ka qenë nevoja që të merren masa shtesë të autoriteteve të rendit, mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe problemet kanë qenë të mëdha. “Nuk ka pasur javë që nuk kanë ndodhur incidente në veri. Ka pasur shpërthime, sulme ndaj qytetarëve joserbë, mandej edhe vrasje, ndërsa askush nuk është arrestuar dhe nuk ka dhënë përgjegjësi për të gjitha këto”.
Në këtë kontekst, kryetari Kastrati, e ka vlerësuar si hap shumë të nevojshëm dhe të domosdoshëm rritjen e masave të sigurisë, në mënyrë që gjendja t’i kthehet normalitetit. “Në veri s’ka liri deklarimi politik. Qytetarët serbë janë nën trysni të strukturave paralele serbe që dirigjohen nga Beogradi. Disponimi i tyre është krejt tjetër, ashtu si në pjesët tjera të vendit, ku janë integruar në institucionet e Republikës së Kosovës”.
Lidhur me këtë, ai theksoi, se kërkohet vendosmëri nga autoritetet e rendit që të vendoset rendi dhe rregulli në mënyrë që të gjithë qytetarët të lëvizin lirshëm dhe të kenë liri deklarimi politik. “Për tejkalimin e problemeve që janë akumulua duhet vendosmëri dhe masa energjike”.
Kryetari Kastrati në këtë takim foli edhe për problemet e banorëve shqiptarë të zhvendosur nga veriu. Përmendi problemin e madh për strehim që kanë ata, mandej papunësinë, problemet sociale, mungesën e qasjes në pronat e tyre etj.
Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, gjen.Buhler, tha se masat e sigurisë i kanë shtuar me qëllim të parandalimit të incidenteve. Ai theksoi se është shumë me rëndësi që të kenë bashkëpunim dhe mbështetjen e qytetarëve, meqë këto masa janë ndërmarrë pikërisht me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë.
Ai potencoi se janë të vetëdijshëm se këto masa ka nevojë që të jenë të pranishme një kohë më të gjatë. “Jemi të vendosur që bashkërisht me institucionet tjera të sigurisë të vazhdojmë aq sa ka nevojë angazhimin për të ofruar një ambient të qetë për të gjithë”.