2011/09/16 - 12:00
Krejt rastësisht ka nisur një miqësi holandezo-kosovare, e cila po jep fryte për ekipin e volejbollit të femrave “Trepça” në Mitrovicë. Dick Van Slooten, trajner i klubit të volejbollit “WSV volejboll” nga qyteti Warnsvel i Holandës, kishte parë rastësisht në një faqe interneti kërkesën e klubit të volejbollit nga Mitrovica për bashkëpunim. Dhe prej atij momenti krejt punën për nisjen e hapave konkretë i kishte bërë vetë. “Nuk besoja se gjërat do të rridhnin kështu, por tashmë jemi bërë miq të mirë dhe besoj se bashkëpunimi do të jetë i frytshëm për të dyja palët”, thotë Slooten, i cili këto ditë për qëndron Mitrovicë. Tregon se kjo është hera e dytë që gjendet në këtë qytet dhe tash është duke u përpjekur që të rregulloj dokumentacionin e nevojshëm për ekipin mitrovicas, të cilët janë të ftuar të marrin pjesë në një turne në Holandë në fund të muajit dhjetor. Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ku ka marrë pjesë në disa seanca stërvitore të ekipit volejbollistik “Trepça”, i shoqëruar nga menaxherja e klubit mitrovicas, Pakize Kosova, ai është takuar edhe me nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri. Ky i fundi e ka falënderuar mikun nga Holanda për ndihmën që ka dhënë për këtë klub të volejbollit. Ai e ka vlerësuar të rëndësishme edhe miqësinë e krijuar në mes të njerëzve nga Holanda dhe Kosova. Ndërsa Pakiza Kosova, ka sqaruar se miku nga Holanda ju ka ndihmuar me pajisje sportive, mandej me literaturë etj. Ajo tha se klubi i volejbollit “Trepça” është formuar në vitin 2008 dhe bën pjesë në Ligën e parë të Kosovës.