2012/01/13 - 12:00
Me qëllim të vendosjes së rregullit nëpër rrugët e qytetit, Drejtoria e Inspekcionit në Mitrovicë, ka disa javë që nuk është duke lejuar shitësit ambulantë të shesin në trotuare dhe rrugë. Si rezultat është krijuar një pasqyrë më e mirë për qytetin si dhe është lehtësuar lëvizja për këmbësorë dhe automjete. Drejtori i Inspekcionit, Lulzim Zeqiri, tha se inspektorët e tregut përditë janë në terren duke përcjellur situatën, në mënyrë që rregulli i vendosur të zbatohet. “Është vendim që tregtarët ambulantë të largohen nga rruga. Ata vazhdimisht kanë penguar komunikacionin dhe nuk kanë zbatuar asnjë kriter për shitjen e produkteve ushqimore, si pemëve dhe perimeve”.
Theksoi se për të gjithë tregtarët ka hapësirë të mjaftueshme në tregun e qytetit. “Është një hapësirë shumë e mirë që ofron kushte adekuate për punë”, tha ai, duke sqaruar se atyre që tregtojnë në rrugë do t’u konfiskohet malli.
Në anën tjetër, Nexhat Dedia, koordinator i ndërmarrjes komunale “Tregu”, tha se kushtet që ofrohen për punë në tregun e qytetit janë shumë të mira. “Në treg ka tezga të mjaftueshme, të cilat janë të mbuluara, mandej oborri është i rrethuar dhe i shtruar me kubëza. Në përgjithësi kushtet janë shumë të mira për punë”.
Tha se tash është rregulluar edhe objekti për shitjen e prodhimeve të qumështit. “Shitja e produkteve të qumështit është bërë jashtë çdo standardi. Tash kemi “Bulmetoren” e re, e cila është në dispozicion të tregtarëve”.
Dedia theksoi se pas masave që janë ndërmarrë nga inspektorati i komunës me asistimin e policisë gjendja ka nisur të normalizohet sa i përket tregtarëve ambulantë. Tha se tregu ka nisur të shfrytëzohet më shumë dhe po krijohet një shprehi e mirë edhe prej tregtarëve, por edhe prej konsumatorëve.
Ai përmendi edhe projektin për rregullimin e mbulojës për gjithë tregun e qytetit. Tha se është një projekt i kushtueshëm, për çka presin ndihmë nga Komisioni Evropian, i cili edhe e ka financuar tërësisht rregullimin e tregut.
Ndër planet tjera, ceku edhe angazhimin për sistemin e shitësve të druve. Theksoi se është duke u punuar që të funksionalizohet “Tregu i kafshëve”, i cili është i gatshëm. “Kjo do të ndihmonte shumë në vendosjen e rregullit nëpër rrugët e qytetit, ku tashmë shiten dru, thëngjill etj”.