2010/05/21 - 12:00
Polica e rajonit të Mitrovicës, ka nisur hetimet për vdekje të dyshimta në tri raste të ndara. Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, tha se një person, S.Nika, i moshës 57 vjeçar, banor i Republikës së Shqipërisë, është raportuar të ketë humbur jetën aksidentalisht gjatë punës së tij në rrjetin elektrik në fshatin Sfaraqak të Vushtrrisë të enjten, rreth orës 13:40min. Sipas tij, Policia e Kosovës është informuar përmes njoftimit nga emergjenca e spitalit të Vushtrrisë, për pranimin e viktimës së këtij rasti, pa shenja jete. “Viktima besohet të ishte punëtor i firmës “ENBI Poëer” nga Shqipëria, kompani kjo kontraktuese e KEK-ut. Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, i cili është informuar lidhur me rastin është paraqitur fillimisht në shtëpinë e shëndetit dhe më pas ka bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes në fshatin Sfaraqak, së bashku me hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës. Në vend ngjarje është ftuar edhe eksperti i pavarur i rrymës elektrike”. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion ndërsa prokurori publik ka autorizuar që rasti të regjistrohet si vdekje e dyshimtë deri në konstatimin e shkaktarit të vdekjes. Ai njoftoi se Policia e Kosovës, përmes zyrës ndërlidhëse ka njoftuar autoritetet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë për rastin e raportuar. Ndërsa rasti i dytë i një vdekjeje të dyshimtë, e që besohet të jetë një vetëvrasje me varje, është regjistruar të premten në Vushtrri. “Viktima, një femër, A.S. rreth 50 vjeçare, është gjetur e varur me një kabllo elektrike, në shtëpinë e saj. Rrethanat dhe motivet e këtij akti të vdekjes së dyshimtë, mbeten të hetohen nga hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë. Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar ekipi mjekësor nga reparti i emergjencës të spitalit të Vushtrrisë”. Prokurori publik është informuar lidhur me rastin dhe i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë e viktimës, të u lirohet familjarëve të saj pasi nuk janë gjetur gjurmë apo elemente të mundshme të veprës penale. Ndërsa rsti i tretë i gjetjes së një trupi të pajetë është regjistruar të premten në mëngjes, rreth orës 09:25 min, në veri të Mitrovicës. Zëdhënësi Hoti, tha se një trup i pajetë i një mashkulli, 56 vjeçar, të identifikuar si H.Salijeviq, i përkatësisë etnike boshnjak, është gjetur i shtrirë për tokë, pa shenja jete në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës. Në vend ngjarje, veç njësive përkatëse të policisë, kanë dalë edhe ekipi kujdestar i qendrës spitalore nga veriu i Mitrovicës, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Hetuesit policor dhe mjekët kujdestar pas ekzaminimit preliminar të viktimës, nuk kanë gjetur shenja të dhunës apo elemente të veprës penale. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion ndërsa rasti është regjistruar si vdekje e dyshimtë deri në konstatimin e shkaktarit të vdekjes së viktimës nga ekspertët mjeko ligjor.