Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

U hap Festivali për Fëmijë “Lojë për të gjithë”

2011/05/10 - 12:00

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim, Pierre Mirel, bashkë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka hapur Festivalin e Fëmijëve “Lojë për të gjithë” në Lagjen e Romëve në Mitrovicë.  Mirel e ka vlerësuar si aktivitet të rëndësishëm Festivalin e Fëmijëve “Lojë për të gjithë” që organizohet nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Kosovë. 
“Ky festival organizohet në krejt Kosovën dhe jam i  nderuar që e hapi këtë në Lagjen e Romëve. Ky festival është  krijuar për fëmijë me fëmijë dhe luhet nga fëmijët”. Ai e ka vlerësuar të rëndësishëm ambientin e krijuar në Lagjen e Romëve, ku janë ndërtuar shtëpi dhe banesa të reja. Tha se kjo është bërë e mundur fal përkushtimit të BE-së, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës. “Para 30 minutave isha në kampin në veri, ku ende ka banorë që jetojnë në kushte të rënda. Shpresoj që gjatë këtij viti ta mbyllim atë kamp”.

Ai ka folur edhe për Qendrën e Edukimit që do të hapet në këtë lagje, ku do të ofrohet ndihmë për edukimin e fëmijëve dhe qytetarëve që jetojnë aty. Në anën tjetër, kryetar i  Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka falënderuar Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim, Pierre Mirel, për ndihmën e vazhdueshme për Kosovën dhe Mitrovicën. “Komuna e Mitrovicës është në proces zhvillimor që të krijoj kushte dhe rrethana  më të mira për fëmijët dhe të rinjtë”. Sipas tij, Komuna e Mitrovicës është e përkushtuar që në mbështetje të BE-së të rrit mirëqenien e këtij komuniteti që përbën një pjesë të popullatës së Kosovës. 

Në emër të  banorëve që jetojnë në Lagjen e Romëve, ka folur Latif Masurica, i cili ka shprehur mirënjohjen e tyre për ndihmën e BE-së, Qeverisë dhe Komunës për krijimin e kushteve më të mira për jetë. “Kjo është një rifillim i një jetë të re për ne”.