2011/12/29 - 12:00
Këshilltarët propozuan që fillimisht në këtë mbledhje të diskutojnë për një shkrim në disa media, në të cilën është thënë se Kuvendi i Komunës së Mitrovicës i bojkoton heronjtë e vet, gjë që sipas tyre nuk qëndron assesi. Kjo pikë u mbështet nga të gjithë këshilltarët e pranishëm dhe u shqyrtua si pikë e parë, ku u vendos që shefat e grupeve të këshilltarëve të takohen pas mbledhjes dhe të bëjnë një deklaratë që i demanton shkrimet në media.
Mbledhja e 24-të, e rregullt e Kuvendit të Komunës, mbajtur të enjten, më 29.12-2011, drejtuar nga kryesuesi Rrustem Musa dhe në prani të kryetarit të Komunës, Avni Kastrati e të nënkryetarit Rizah Haziri, ka filluar me ndryshimin e rendit të ditës.
Në të vërtet, kryesuesi Musa kërkoj nga këshilltarët e pranishëm të Kuvendit të Komunës që të shtyjnë për mbledhjen e ardhshme të KK shqyrtimin e pikës që kishte të bëjë me Propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të objektit P+2 dhe aneksit P+O (ish QPS) në Iliridë, me destinim për çerdhe të fëmijëve, pasi që tha se për këtë janë dakorduar shefat e grupeve të këshilltarëve, me qëllim që materiali për shqyrtim të përgatitet më mirë dhe në detaje.
Ndërkaq, këshilltarët propozuan që fillimisht në këtë mbledhje të diskutojnë për një shkrim në disa media, në të cilën është thënë se Kuvendi i Komunës së Mitrovicës i bojkoton heronjtë e vet, gjë që sipas tyre nuk qëndron assesi. Kjo pikë u mbështet nga të gjithë këshilltarët e pranishëm dhe u shqyrtua si pikë e parë, ku u vendos që shefat e grupeve të këshilltarëve të takohen pas mbledhjes dhe të bëjnë një deklaratë që i demanton shkrimet në media.
Edhe propozimi që kryetari i Komunës, Avni Kastrati të jap një informatë gojore për reagimin e banorëve të lagjes veriore “Lugina e Doktorëve”, u mbështet nga të gjithë të pranishmit dhe u shqyrtua si pikë e dytë e rendit të ditës.
Kryetari Kastrati ju tha këshilltarëve e përfaqësuesit e lagjes “Lugina e Doktorëve”, kanë qenë një ditë më parë tek ai dhe janë ankuar për ndërprerje të shpeshtë të rrymës elektrike në lagjen e tyre, duke i cilësuar ndërprerjet si diskriminuese, pasi që kjo nuk ndodh për banorët serbë që jetojnë fare afër lagjes dhe në hyrje të saj.
Kryetari Kastrati tha se edhe ditën e reagimit të shqiptarëve të lagjes, me bllokim të rrugës ka biseduar me përfaqësuesit e KEK-ut dhe ka angazhuar edhe njërin nga drejtorët që të ndërmarrin të gjitha masat për të kuptuar se përse ndodh ndërprerja e rrymës dhe si duhet tejkaluar këtë gjendje dhe se shpreson që problemi do të zgjidhet gjatë ditës, pasi që njoftimet e para bëjnë fjalë për një problem teknik.
Si kryetari Kastrati, ashtu edhe këshilltarët ishin të njëzëshëm se banorët shqiptarë të “Luginës së Doktorëve” duhet të kenë rrymë 24 orë pa ndërprerje, sikur fqinjët e tyre serbë, por thanë se reagimi i tyre, duke barrikaduar rrugën, është i papranueshëm.
Në vazhdim të mbledhjes, këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan Projekt-rregulloren për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në Komunën e Mitrovicës; Projekt-rregulloren për trajtimin e ndërtimeve pa leje; Propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së punës së Kuvendit të Komunës; Propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tatim në pronë të paluajtshme dhe Raportin financiar për realizimin e buxhetit komunal për periudhën janar-shtator 2011.