2010/06/23 - 12:00
Drejtues të komunës, Odës Ekonomike dhe mysafirë të shumtë kanë marrë pjesë të mërkurën në përurimin e fabrikës me teknologji moderne nga firma NTP"AFRI-IMPEX" për përpunimin e dyerve dhe dritareve në Mitrovicë. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se ky është një moment shumë me rëndësi për mitrovicasit, meqë përurimi i një fabrike të tillë premton të ardhme sa i përket zhvillimit ekonomik. Ai ka premtuar se komuna në kuadër të mundësive që ka do të mbështes bizneset në përgjithësi, ndërsa ato prodhuese në veçanti. Kryetari Kastrati ka shfaqur shpresën se këto prodhime do të gjejnë tregun edhe jashtë vendit. Në anën tjetër, Safet Gërxhaliu, ushtrues i detyrës së kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, tha se hapja e kësaj fabrike është sinjal i mirë për ekonominë mitrovicase. Ai theksoi me këtë rast se biznesmenët kosovarë janë heronj të pasluftës, meqë përkundër problemeve të shumta janë duke bërë që të amortizohen problemet sociale. Ai shfaqi shpresën se me mbështetjen e institucioneve lokale dhe qendrore do të minimizohen problemet dhe do të krijohen kushte edhe më të mira për zhvillimin e bizneseve. Ndërsa Shaqir Osmani, pronar i firmës NTP"AFRI-IMPEX", tha se për hapjen e kësaj fabrike kanë investuar mbi 700 mijë euro. “Ka dhjetë vjet që punojmë në këtë lëmi. Tani kemi investuar në teknologji moderne dhe besojmë se prodhimet tona do të eksportohen edhe jashtë vendit, meqë e gjithë teknologjia është e standardeve evropiane”. Ai tha se aktualisht kanë në marrëdhënie pune 20 punëtorë, por presin që në të ardhmen numri i tyre të rritet.