Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

U përurua Fabrika për prodhimin e shtyllave elektrike nga betoni i armiruar

2010/09/30 - 12:00

Fabrika, për ndërtimin e së cilës kompania e lartë përmendur kroate ka investuar rreth 5.200.000 euro, tash e tutje do të quhet “Tehno-Burimi” dhe në të janë punësuar tashmë 35 punëtorë, por që me zgjerimin e kapaciteteve do të punësohen edhe 15 të tjerë.

Mitrovicë, 30 shtator
Në prani të Safet Gërxhaliut, kryetar i OEK-ut, ambasadorit të Kroacisë në Prishtinë, Zllatko Kramariq, përfaqësuesve të Qeverisë së Kroacisë e biznesmenëve të Kroacisë, Rizah Hazirit, nënkryetar i komunës dhe biznesmenëve të shumtë  nga Mitrovica e rajoni, në Mitrovicë është përuruar të enjten Fabrika për prodhimin e shtyllave elektrike nga betoni i armiruar, që është bërë në partneritet të kompanive “Tehno-Betoni” nga Varazhdini i Kroacisë dhe “Burimi” nga Mitrovica.
Fabrika, për ndërtimin e së cilës kompania e lartë përmendur kroate ka investuar rreth 5.200.000 euro, tash e tutje do të quhet “Tehno-Burimi” dhe në të janë punësuar tashmë 35 punëtorë, por që me zgjerimin e kapaciteteve do të punësohen edhe 15 të tjerë.
Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut, tha se kjo është një fabrikë moderne, prodhimet e së cilës do të jenë të kualitetit të lartë. “Kroacia e ka ndihmuar Kosovën para, gjatë dhe pas luftës. Ajo është e para që e ka hapur Odën ekonomike të saj në Kosovë. Impuls të veçantë këtij partneriteti të sotëm i ka dhënë ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Zllatko Kramariq. Ai është një mik i madh i  shqiptarëve dhe Kosovës dhe ka bërë shumë në zgjerimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Kroacisë. Investimi kroat në këtë fabrikë është një shembull konkret  që mund të inkurajojë edhe partnerët tjerë të jashtëm për investim enë Kosovë”, ka thënë Gërxhaliu.
“Besoj se Kosova së shpejti do të jetë partner kyç i Kroacisë  dhe me këtë do të thellohet edhe më shumë miqësia midis dy shteteve. Ky nuk do të jetë projekti i vetëm i realizuar në partneritet, sepse do të ketë edhe shumë e shumë projekte tjera, por do të mbetet në mend si projekti i parë i këtillë”, tha ambasadori i Kroacisë në Prishtinë, Zllatko Kramariq.
Në vazhdim të fjalës së tij, ai tha se midis Kroacisë dhe Kosovës nuk ka çështje të hapura, por ka bashkëpunim të mirë e të ndërsjellët, prandaj edhe ka ardhur edhe deri tek ky investim. Sipas tij, investimi në këtë fabrikë nga ana e kompanisë kroate, ju ka treguar të gjithëve se në Kosovë ka kushte dhe mund të investohet.
Për nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Rizah Haziri, ky investim ka efekt ekonomik të gjithanshëm për komunën e Mitrovicës, në veçanti në zbutjen e papunësisë. “Komuna si pjesë të strategjisë së zhvillimit të saj ekonomik, e ka inkurajimin e investitorëve të huaj e të vendit”, tha Haziri.
Sasha Saqiç, menaxher i “Tehno-Burimit”, tha se kjo fabrikë do të jetë lider i rajonit në fushën e vet. “Kemi zgjedhur të investojmë në Mitrovicë për shkak të së kaluarës dhe rëndësisë që ka ajo.  Fabrika ka një teknologji e mekanizëm të prodhuesve të njohur italianë që garantojnë cilësi të lartë të prodhimit. Prodhimi vjetor do të jetë 25.000 shtylla betoni, që mund t’i plotësojë kërkesat e rajonit”, tha Saqiç.
Në emër të firmës “Burimi”, të pranishmi i ka përshëndetur Burim Fazliu.