Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

U përurua objekti i ri i Qendrës për Regjistrim Civil

2010/12/09 - 12:00

Qytetarët e komunës së Mitrovicës prej të enjtes e kanë në dispozicion  objektin e ri të Qendrës Komunale për Regjistrim Civil, e cila do të lehtësoj shumë shërbimet ndaj tyre. Në përurimin e këtij objekti përveç kryetarit të komunës, Avni Kastrati ka qenë i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili e ka vlerësuar se objekti i ri do të lehtësoj shumë punën për stafin, por edhe qytetarët.  Ai tha se deri me tani ky shërbim ka funksionuar në objektin komunal dhe ka pasur ngarkesë të madhe. “Ky objekt i plotëson të gjitha kushtet ku qytetarët mund të kenë qasje shumë më të lirë për të hyrë, për të aplikuar dhe për të marrë dokumentacionet. Po ashtu, edhe kushtet për personel janë shumë të mira dhe unë shpresoj se edhe qytetarët do të jenë shumë të kënaqur me shërbimet që do t’i bëjë stafi i MPB-së”, tha Rexhepi.

Në anën tjetër edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka shprehur kënaqësinë për ndërtimin e këtij objekti që do të jetë në shërbim të qytetarëve.  “Objekti i ri i QKRC-së në këtë komunë do të jetë një prej qendrave shembull për Kosovë”. Ky projekt ka kushtuar rreth 267 mijë euro, prej tyre 201 mijë euro janë ndarë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe 75 mijë euro janë dhënë nga Komuna e Mitrovicës.