2010/09/29 - 12:00
Për 50 familje rome të kthyera nga kampet në veri në shtëpitë e ndërtuara në Lagjen e Romëve në jug të Mitrovicës, po fillon një jetë e re. Kështu u tha të mërkurën në përurimin e fazës së parë të ndërtimit të këtyre shtëpive në kuadër të një projekti të financuar nga USAID-i dhe të mbështetur nga Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe Komuna e Mitrovicës. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se kjo është një ngjarje e shënuar, meqë pas dhjetë vitesh jete nëpër kampe 50 familje me 238 anëtarë të familjeve të komunitetit RAE janë vendosur në shtëpi të reja. “Është një ditë gëzimi për të gjithë dhe për këtë meritojnë falënderime të gjithë ata që kanë ndihmuar për realizimin e këtij projekti që do të vazhdoj”.
Kryetari Kastrati, tha se komuna ka ofruar mbështetjen e pakursyer për këtë projekt, me qëllim që të ndihmoj për mbylljen e atyre kampeve në veri. Ndërsa tani, tha ai, mbetet që të gjithë të ndihmojnë edhe për krijimin e kushteve për kthim për të gjithë pjesëtarët e komuniteteve të tjera.
Në anën tjetër, zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Ismet Hashani, tha se deri në dhjetor të këtij viti do të mbyllen kampet Osterode dhe Çeshmellug në veri të Kosovës, ku që dhjetë vjet kanë jetuar shumë familje të komunitetit RAE. “Falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar. Besojmë se së shpejti do të përurojmë edhe përmbylljen e këtij projekti ku do të kthehen edhe 38 familje të tjera”.
Në përurimin e fazës së parë të ndërtimit të shtëpive për komunitetin RAE ishte e pranishme edhe drejtoresha e USAID-it në Kosovës, Patricia Rader, e cila tha se kjo është ditë me rëndësi për të kthyer, por edhe për Kosovën në përgjithësi.
Zyrtari për kthim në komunën e Mitrovicës, Bedri Sadiku, sqaroi se të kthyerit në shtëpitë e ndërtuara në lagje do të ndihmohen nga Mercy Corps edhe me gjëra ushqimore në vlerë prej 1200 eurosh për një periudhë gjashtë mujore si dhe me gjëra joushqimore, si mobile etj, në vlerë prej 1500 eurosh.