2010/06/17 - 12:00
Dashamirës të librit, zyrtarë të komunës dhe mysafirë të ardhur nga Prishtina kanë marrë pjesë të enjten në promovimin e librit për fëmijë “Lepuroshi trimosh” i autorit Ejup Ceraja që u mbajt në bibliotekën “Latif Berisha” në Mitrovicë. Redaktori i këtij libri, Adem Zejnullahu, tha se të hysh në botën e brendshme të njeriut është një mrekulli, ndërsa të kesh guxim dhe të hysh në botën e ndjenjave dhe imagjinatës shpirtërore të fëmijëve është mrekulli mbi mrekullitë. “Këtë e ka arrit Ceraja dhe nga atje ka nxjerr në mënyrë të çiltër, me një kolorit ngjyra të ylberta ëndrrat, shpresat, lojërat, veset dhe huqet e tyre" . Krijuesi Miftar Kurti, prezantoi autorin e këtij libri si poet shumë shumë të frytshëm i cili ia ka dal të depërtojë në botën e brendshme të botës së fëmijve, ndërkohë që potencoi se deri më tani ai ka botuar mbi dhjetë libra me tregime, poezi, romane, gjëegjëza, vështrime letrare etj. “Një nga format me të cilat ky poet i ka bërë fëmijë për vete është fabula e tij e cila është e lehtë e kapshme dhe porosidhënëse", tha Kurti. Libri "Lepuroshi trimosh" përmban 38 poezi, të cilat ndahen në 8 cikle, ndërsa hapet më poezinë “Bamirësia nuk harrohet” si sygjerim i kultivimit të kësaj vetie si virtyti më i çmueshëm i njeriut. Autori në fabulat e tij prek shumë pesonazhe nga bota e shpendëve, kafshëve shtëpiake dhe atyre të egra dhe nëpëmrjet tyre vë në pah të këqijat dhe të mirat e njeriut, ndërthurjen e tyre duke vënë në plan të parë bamirësinë, dashurinë Autori i këtij libri, Ejup Ceraja, një veteran i arsimit ka kujtuar fillimin e marrjes me letërsi, duke përkujtuar botimin e vjershës së parë e cila ishte shtytje për prurje të reja, ndërkohë që ka falënderuar Zotin për shëndetin, memorien dhe ka premtuar botime të reja. Gjatë kësaj ore letrare është promovuar edhe libri i ri"Ma fsheh bregun tjetër" i poetit të mirënjohur mitrovicas, Sabit Idrizi. Më pas të pranishmit vizituan ekspozitën e librave dhe atë të kostumeve popullore të hapur në holin e bibliotekës. Këto aktivitete janë mbajtur në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e kulturës” që është duke u mbajtur në Mitrovicë.