2010/10/21 - 12:00
Me financimin e komunës së Mitrovicës dhe PTK-së është realizuar projekti i rregullimit të parketit në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë. Drejtues të komunës së Mitrovicës, kanë theksuar se ky investim është bërë me qëllim që të krijohet një ambient që ofron kushte të mira për aktivitetet sportive. Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, i cili ka marrë pjesë në përurimin e këtij projekti, tha se komuna në kuadër të mundësive që ka do të vazhdoj të mbështes sportistët. Në këtë kuadër ai e ka cilësuar edhe punën që është bërë në palestrën “Minatori”. Ndërsa Nazmi Raci, shef i kësaj palestre, sqaroi se projektin për rinovimin e parketit e ka financuar komuna dhe PTK-ja dhe vlera ka qenë rreth 10 mijë euro. “Është gërryer parketi, janë vendosur fugat, janë lyer vijat e fushave të basketbollit, hendbollit dhe volejbollit dhe është lyer me vaj adekuat”. Raci shtoi se ky investim ka krijuar kushte shumë të mira për ekipet sportive që e shfrytëzojnë këtë palestër, për çka falënderoi komunën dhe PTK-në