Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

U shënua 7 Marsi-Dita e Mësuesit

2011/03/07 - 12:00

Me një manifestim solemn të organizuar nga Drejtoria e Arsimit në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, u shënua të hënën 7 Marsi-Dita e Mësuesit, ku morën pjesë drejtues komunalë, drejtorë shkollash, mësimdhënës etj.  Programi u hap me një film të shkurtër dokumentar kushtuar arsimit shqip në vitet ’90 në Kosovë, kryesisht në Mitrovicë. Drejtori i Arsimit, Ali Bejta, tha se kjo është një datë e shënuar dhe shumë e rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare. “Është ky një rast i mirë që të përkujtojmë dhe nderojmë gjenerata të tëra mësuesish, arsimtarësh e profesorësh, të cilët me punë të palodhshme dhe në kushte të vështira arritën të edukojnë brezat e rinj”.

Drejtori Bejta tha se Dita e Mësuesit, që lidhet me 7 Marsin e vitit 1887, kur u hap shkolla e parë shqipe në Korçë, nuk ishte rastësi, por fryt i përpjekjeve për shkollën dhe arsimin shqip. “Të nderuar mësimdhënës, në rrugëtimin e vështirë historik të kombit tonë drejt shtigjeve të lirisë dhe pavarësisë, puna juaj paraqet një prej segmenteve më të rëndësishme, paraqet lokomotivën që na ka drejtuar kah progresi”.

Një fjalë rasti në këtë manifestim, e mbajti edhe nënkryetari i Komunës, Riza Haziri,  Ai theksoi se në rrethanat nëpër të cilat ka kaluar Kosova, mësimdhënësit kanë qenë shembull i vetëmohimit, andaj meritojnë respektin më të lartë. “Institucionet janë duke bërë përpjekje të mëdha që ju të keni një trajtim dinjitoz”.

Ai vlerësoi se në këtë kontekst edhe në Mitrovicë janë duke u bërë hapa të mirë. “Është investuar dhe po investohet që të rritet hapësira shkollore që ka qenë një problem shumë i madh pas lufte. Jemi shumë të vendosur që mos të kursejmë për arsim, meqë ky është investim për të ardhmen tonë”.    

Në fund të programit drejtori Bejta, ndau mirënjohje për personalitet që kanë mbajtur mbi supe organizimin e arsimit në vitet ’90 dhe ata që kanë ndihmuar në këtë drejtim.