Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

U shënua Epopeja e Mazhiqit dhe rënia e dëshmorit Avni Shabani

2014/09/15 - 12:00

 Në prani të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, luftëtarëve të Brigadës “141 Mehë Uka”, familjeve të dëshmorëve dhe qindra qytetarëve të Mitrovicës e më gjerë, në Mazhiq të Shalës së Bajgorës, është përkujtuar Epopeja e famshme e Mazhiqit dhe rënia heroike e dëshmorit Avni Shabani.  Bahtiri-Mazhiq.jpgKryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi i ka përgëzua ish luftëtarët e UÇK-së për kujdesin që po tregojnë ndaj bashkëluftëtarëve të vet që kanë rënë për liri dhe ndaj familjeve të tyre, ju ka thënë atyre se duhet të jenë krenarë për kontributin që kanë dhënë për të mirën e atdheut.

“Shala e Bajgorës gjithmonë kanë pas njerëz të devotshëm që kurdoherë që është dashur, ju kanë përgjigjur kërkesave të popullit. Ata janë inkuadruar në të gjitha dhe betejat  dhe luftërat që janë organizuar kundër armiqve të popullit shqiptarë dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, që ne sot po i gëzojmë”, ka thënë Bahtiri. 
 
Ai ka shtuar në vazhdim se familjet e dëshmorëve meritojnë respekt të veçantë dhe se ai dhe institucionet e pushtetit lokal po bëjnë çmos që atyre të ju krijohen kushte për një jetë të dinjitetshme. 
 
Duke folur për këtë epope të lavdishme, njëri nga komandantët e brigadës së lartpërmendur e bashkëluftëtar i dëshmorit Shabani, Emin Musa. tha se epopeja e Mazhiqit mbahet në mend për heroizmin e paparë deri atëherë të luftëtarëve të kësaj ane. 
“Në luftë ballë përballë me armikun numerikisht shumë herë më të fuqishëm dhe të armatosur deri në dhëmbë, luftëtarët tanë të lirisë ishin shumë më të motivuar, shumë më të guximshëm dhe më të shkathtë, treguan trimëri të paparë dhe me sukses i rezistuan armikut, duke i shkaktuar humbje të mëdha. Fatkeqësisht, në këtë betejë të pabarabartë ëpr nga armatimi, por me përparësi morale të luftëtarëve të lirisë, nga një granatë e ushtrisë kriminale serbe, u vra luftëtari Avni Shabani”, tha Musa
Sipas tij, rënia e luftëtarit Avni Shabani, vetëm sa i motivoi bashkëluftëtarët e tij, të cilët i shkaktuan humbje të mëdha armikut, si në njerëz, ashtu edhe teknikë luftarake. Musa tha se në epopenë e Mazhiqit janë plagosur edhe 14 luftëtarë të lirisë.
Komandanti i UÇK-së, i Brigadës 141 “Mehë Uka”, Hysni Ahmeti, tha se dëshmori Avni Shabani, është dëshmori i parë i lirisë që u vra në rajonin e Shalës së Bajgorës. Sipas tij Avniu qysh gjatë shkollimit të mesëm ishte pjesë e protestave dhe demonstratave që organizoheshin në atë kohë kundër okupatorit.
Ahmeti tregoi se më 19 prill të vitit 1999, Avniu inkuadrohet në radhët e UÇK-së. Një kohë shërben në Zabërgjë, ku në Qendrën Stërvitore Themelore, merr njohuri të reja në fushën ushtarake, por edhe jep njohuri për artin ushtarak ngase kishte përvojë lufte.
“Pas pak ditësh, Avniu vullnetarisht kalon në Mazhiq, ku ju bashkëngjitet luftëtarëve tjerë që po bënin rezistencë të paparë kundër forcave të armikut. Ai në luftë ishte trim dhe shumë i guximshëm. Në betejën e 15 shtatorit, nuk kurse asgjë për të luftuar kundër forcave të armikut. Në këtë betejë të ashpër    Avniu ra si burrat në vijën e parë ët frontit, duke mos lejuar ecjen përpara të trupave dhe njësiteve të armikut”, tha Ahmeti.