2011/07/11 - 12:00
Drejtori i DKRS-së, Artan Osmani, ka bërë të ditur se është themeluar Teatri Profesionist i Qytetit dhe është konstituar Këshilli i Teatrit, detyrë e të cilit është përkujdesja për politikat zhvillimore të Teatrit, përzgjedhja e pjesëve teatrore që do shfaqen para shikuesve etj.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), e Kuvendit të Komunës, ka vazhduar punën e saj për mbarëvajtjen e aktiviteteve kulturore në komunë edhe gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës.
Drejtori i DKRS-së, Artan Osmani, ka bërë të ditur se është themeluar Teatri Profesionist i Qytetit dhe është konstituar Këshilli i Teatrit, detyrë e të cilit është përkujdesja për politikat zhvillimore të Teatrit, përzgjedhja e pjesëve teatrore që do shfaqen para shikuesve etj.
Në këshillin e Teatrit Profesionist të Qytetit janë zgjedhur Albana Muja, dramaturge, kryetare dhe anëtarët Sabit Idrizi, shkrimtar, Çamëri Ceraja, aktore, Fatmir Hetemi, aktor, Blerim Peci, aktor, Fisnik Istrefi, gjuhëtar dhe Lulzim Hoti, nga shoqëria civile.
Sipas Osmanit, tashmë është mbajtur edhe takimi i parë i këshillit të Teatrit Profesionist të Qytetit, në të cilin është biseduar për hapat e mëtutjeshëm dhe përgatitjen e shfaqjes së parë, sa më shpejt që është e mundur, pasi që DKRS ka ndarë një shumë prej 10.000 euro për këtë dhe vetëm pritet përzgjedhja e projektit më të mirë që do të konkurroj.
Osmani njoftoi se në bazë të konkursit të shpallur, është zgjedhur edhe menaxheri i Teatrit, që është Mirsad Ferati, aktor i njohur mitrovicas dhe drejtor i deritashëm i Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”. Teatri Profesionist i Qytetit, veprimtarinë e vet do ta ushtrojë në hapësirat e Qendrës së Kulturës.
Po ashtu, drejtori i DKRS bëri të ditur se ushtruese e detyrës së Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, është zgjedhur Fatbardha Boletini.