Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

UNDP-ja e interesuar të ndihmoj në fushën e ambientit

2010/09/22 - 12:00

UNDP-ja është duke hulumtuar mundësitë për të ndihmuar Mitrovicën sa i përket problemeve që ka me ambient. Kjo u tha të mërkurën në një takim që kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka zhvilluar me drejtoreshën e UNDP-së në Kosovë, Osnat Lubrani. Kryetari Kastrati tha se në këtë komunë problemet me ambient janë të mëdha dhe duhet investim i madh për evitimin e gjendjes ekzistuese. Ai theksoi se problemet kryesore janë me mbeturinat industriale dhe ato kimike, të cilat janë të deponuara në vende të ndryshme.

Ai ka falënderuar drejtuesit e UNDP-së për angazhimin e tyre sa i përket përmirësimit të gjendjes së ambientit dhe ka ofruar mbështetje të plotë për projekte të tilla. Ndërsa drejtoresha e UNDP-së në Kosovë, Osnat Lubrani, tha se janë duke hulumtuar format për të ndihmuar. “Kemi zhvilluar takime edhe  me strukturat qendrore në mënyrë që bashkërisht të organizojmë një takim ku do të mblidhen ekspertë dhe njohës të fushës së ambientit për të diskutuar dhe sjellur propozime se si t’i qasemi këtij problemi”.

Ajo theksoi se në nëntor të këtij viti pritet të organizohet një takim i tillë ku do të sqarohen shumë gjëra sa i përket përballjes me gjendjen e rëndë në fushën e ambientit në Mitrovicë.