2011/02/17 - 12:00
Të nderuar familjarë të dëshmorëve
Të nderuar invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Të nderuar qytetarë të Mitrovicës Ndjehem i nderuar që kam rastin t’ju drejtohem sot me rastin e shënimit të 3-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kësaj ngjarjeje të madhe në historinë e re të kombit shqiptar.
17 Shkurti i vitit 2008 i ka dhënë kuptim jetës sonë dhe sakrificës së bijve dhe bijave të këtij vendi brez pas brezi. Është dhënë shumë për këtë shtet andaj kemi obligim të madh që ta ruajmë Republikën e Kosovës.
Pas kësaj periudhe ashtu si në gjithë vendin edhe në Komunën e Mitrovicës vërehen ndryshime të mëdha. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të realizimit të shumë projekteve që kanë përmirësuar jetën e qytetarit mitrovicas. Megjithatë sfidat në komunën tonë janë të mëdha për shkak të rrethanave specifike.
Në këtë kohë po kalon një vit prej fillimit të mandatit tim si kryetar i Komunës së Mitrovicës dhe dua t’ju falënderoj për mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Jemi të vetëdijshëm se nevojat e qytetarëve mitrovicas janë të mëdha, por vullneti ynë dhe përkrahja juaj është garanci për suksesin tonë të përbashkët.
Të gjithëve na mbetet që bashkërisht të vazhdojmë me përkushtim punën për forcimin e shtetit tonë. Ky është amanet i dëshmorëve. Më shumë se kurrë na duhet që të jemi bashkë, ashtu siç ishim para dhe pas luftës.
Bashkërisht i kaluam momentet me të rënda dhe bashkërisht i festuam fitoret me të mëdha. Ne të gjithë kemi nevojë për Kosovën e zhvilluar, ndërsa Kosova ka nevojë për kontributin e secilit prej nesh.
Më lejoni në fund t’u uroj përvjetorin e tretë të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe të shpreh respektin tim më të sinqertë për ju qytetarë të Mitrovicës dhe Kosovës në përgjithësi.
Ju faleminderit.