Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Ushtarët turq të KFOR-it dhurojnë çanta për nxënësit e shkollës fillore”A.Z.Çajupi”

2010/11/03 - 12:00

Në emër të ushtarëve turq të KFOR-it, çantat dhe mjetet tjera të nevojshme për punë, ua ka dorëzua këtyre nxënësve nënkryetari për komunitete i komunës së Mitrovicës, turku Eroll Zekeria.

Mitrovicë, 3 nëntor
Ushtarët turq të KFOR-it, kanë dhuruar 56 çanta dhe mjete tjera të punës, si fletore, lapsa, ngjyresa, etj, për nxënësit e dy klasave të para të shkollës fillore “Andon Zako Çajupi”, të Mitrovicës.
Në emër të ushtarëve turq të KFOR-it, çantat dhe mjetet tjera të nevojshme për punë, ua ka dorëzua këtyre nxënësve nënkryetari për komunitete i komunës së Mitrovicës, turku Eroll Zekeria. 
Ai ka thënë se kjo ndihmë është shprehje e vullnetit dhe dëshirës së ushtarëve nga Turqia për të ndihmuar nxënësit e kësaj shkolle, që janë të përkatësive të ndryshme etnike, me qëllim që ata të kenë kushte më të mira për mësim dhe të arrin suksese akoma më të dalluara.
Drejtoresha e shkollës, Melihate Meha, pasi ka falënderuar ushtarët turq për ndihmën e ofruar për nxënësit e saj, ka thënë se sigurisht që çantat dhe mjetet tjera mësimore të dhuruara do të reflektohen pozitivisht në mësim nxënien e nxënësve dhe punën e mësuesve, si dhe do të kursejnë buxhetin e varfër të familjeve të tyre.
Drejtoresha Meha ka bërë të ditur se në shkollën e saj janë integruar mirë nxënësit e pjesëtarëve të minoriteteve që jetojnë në komunë. “Janë 17 nxënës të minoritetit rom e ashkali që i vijojnë mësimet prej klasës së parë deri në të tetën. Ata janë integruar mirë në shoqëri me shqiptarët, pasi që janë pritur mirë dhe deri tash nuk ka pas asnjë problem”, ka thënë Meha.
Sipas saj, në një mbledhje të organizuar në lagjen e romëve, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shkollës, të komunës dhe KARITAS-sit të Kosovës, është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet të gjithë subjekteve të interesuara, me qëllim të integrimit dhe vijimit të mësimit sa më të rregullt të nxënësve romë e ashkali  në shkollë.
“Prindërit e tyre janë shprehur të jenë të kënaqur me trajtimin dhe integrimin e tyre të deritashëm. Ata kanë thënë se fëmijët e tyre janë plotësisht të barabartë me fëmijët shqiptarë dhe se nuk është shënuar asnjë rast i ngacmimit apo fyerjes së nxënësve në shkollë”, ka thënë Meha.
Po ashtu, drejtoresha Meha ka njoftuar se mësimin  parashkollor aty e ndjekin edhe 15 fëmijë të minoritetit turk, prindërit e të cilëve janë të kënaqur me trajtimin e tyre dhe punën që bëhet.