Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Veprimet e UNMIK-ut në veri cilësohen diskriminuese për shqiptarët

2011/06/13 - 12:00

Gjendja e sigurisë në Mitrovicë në dy javët e fundit ka qenë e qetë, u vlerësua të hënën në takimin e rregullt të Komitetit për vlerësimin e sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim. U theksua se nuk ka pasur ndonjë incident serioz që do të ndikonte në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se përkundër faktit se në dy javët e fundit nuk ka pasur ndonjë incident serioz, gjendja në veri vazhdon të mbetet e paqëndrueshme. “Aktivitetet e strukturave paralele serbe paraqesin sfidë të vazhdueshme për institucionet e rendit dhe të sigurisë, meqë ato veprojnë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Ai përmendi edhe veprimet e zyrtarëve të UNMIK-ut në veri, të cilat në vend të ndikimit konstruktiv kanë reflektim krejt të kundërt. Në këtë kontekst, nënkryetari Haziri, ceku një vendim të lëshuar nga administrata e UNMIK-ut në veri për ndalimin e ndërtimit të një lokali nga një qytetar shqiptar në Lagjen e Boshnjakëve.

Tha se vazhdimisht në atë pjesë të qytetit administrata e UNMIK-ut ka bërë një politikë jo parimore dhe të njëanshme. Si shembull përmendi politikën e UNMIK-ut sa i përket rindërtimit të shtëpive të djegura gjatë luftës. “Serbët janë lejuar vazhdimisht të blejnë dhe të ndërtojnë në pronat e shqiptarëve, ndërsa shqiptarët nuk janë lejuar as të rindërtojnë shtëpitë e tyre të djegura”.

Sa i përket vendimit të UNMIK-ut për ndalimin e ndërtimit të një lokali nga një qytetar shqiptar në Lagjen e Boshnjakëve, tha se edhe ky është një veprim që nuk relakson raportet ndëretnike, por ka efekt të kundërt. “Ne kemi dalur në vendin e ngjarjes dhe i kemi sugjeruar atij qytetari që të vazhdoj punën. Për lejet e ndërtimit nuk është kompetent UNMIK-u por Komuna legale, deri në krijimin e komunës në veri sipas Pakos së Ahtisarit”.            

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se shqetësuese në veri mbeten qarkullimi i automjeteve me targa ilegale si dhe vizitat e zyrtarëve serbë pa lejen e institucioneve vendore. “Kjo praktikë duhet të ndërpritet meqë po ndikon në tensionimin e situatës”, tha ai.  

Komandanti i stacionit të policisë në jug, Avni Zabeli, tha se në zonën e tij të përgjegjësisë situata është e qetë. Ndërsa si raste kriminale përmendi vrasjen e një femre që ka ndodhur këtë muaj si dhe një sulm ndaj nënstacionit të policisë në Stan Tërg, për çka janë arrestuar katër persona të dyshimtë.