2010/11/06 - 12:00
Me qëllim të evitimit të rrezikut nga degët e drunjëve të lartë në parkun e qytetit që janë varur mbi pullazin e çerdhes së fëmijëve “Gëzimi ynë” në Mitrovicë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka organizuar një aksion për prerjen e tyre. Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se ky aksion është ndërmarrë pasi paraprakisht është vlerësuar se këto degë të trasha mbi çerdhe paraqesin rrezik. Ai sqaroi se aksioni realizohet nga njësitet e zjarrfikësve, ndërsa ndihmohet nga KFOR-i që ka ofruar mbështetje me pajisje adekuate për raste të tilla. Drejtori Bala, tha se kjo është edhe një dëshmi e bashkëpunimit të mirë me KFOR-in në të mirë të qytetarëve.
Ndërsa zëdhënësi i KFOR-it për veri, Erik Conraux, tha se përveç sferës së sigurisë njësitet e KFOR-it vazhdimisht kanë mbështetur projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve më të mira për qytetarët. Ai tha se edhe në të ardhmen KFOR-i është i gatshëm të mbështes projekte të tilla.
Shumë e kënaqur me këtë aksion u shpreh Shefike Nimani, drejtoreshë e çerdhes, e cila tha se ka kohë që ka bërë një kërkesë të tillë, meqë degët e varura mbi pullaz kanë paraqitur rrezik të vazhdueshëm. Ajo falënderoi kryetarin e komunës, Avni Kastrati, që kishte dalur të shoh zhvillimin e aksionit, mandej drejtorin Bala, zjarrfikësit dhe ushtarët e KFOR-it për angazhimin e tyre.