Republika e Kosoves

Skënderaj

Mbahet mbledhja e Kuvendit Komunal

2010/03/31 - 12:00

Skenderaj, 31 mars – Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Skenderajt, në mbledhjen e rregullt, të mërkurën, e kanë vlerësuar kurajues raportin njëvjeçar të punës për vitin e kaluar të ekzekutivit të komunës, respektivisht të kryetarit.

Sami Lushtaku, dhe që i hap rrugë perspektivës për të ardhmen e kësaj komune. Megjithëkëtë, raporti që përfshin edhe aktivitetin njëvjeçar të drejtorive komunale, u përcoll me pakënaqësi dhe vërejtje nga ana e deputeteve në punën e disa prej drejtorëve.

Sektori i shëndetësisë ishte më i apostrofuari, por nuk mbeti anash as Drejtoria për Shërbime Publike. Derisa Kadri Osaj dhe Ganimete Musliu, të dytë nga PDK-ja, adresuan lëvdata për raportin e punës së kryetarit dhe të drejtorive, Shahin Tahiri, nga e njëjta parti, ishte më kritik, dukë bërë vërejtje në cilësinë e punëve të kryera rreth rinovimit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Klinë e Epërme.

Ai tha se gjendja e objektit ka qenë më e mirë para rinovimit, se sa që është tani. “A është rinovim, apo shkatërrim”, pyeti ai me ironi. Por me konstatimin e Shahinit nuk u pajtua drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Osman Veliu, i cili, duke ua kujtuar deputeteve së punimet janë zhvilluar gjatë stinës së dimrit, tha se disa punë kanë mbetur të kryhen. Sipas drejtorit të DSHMS-së, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka investuar 26 mijë euro për rinovimin e objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Bashkësinë Lokale të Klinës së Epërme.

Ndërkaq, Sylejman Haxha (PDK) kërkoi sqarim së përse nuk është përfshirë fshati Açarevë në vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet. Mirëpo drejtori i kësaj drejtorie, Shemsi Maksuti, tha se nuk ka pasur njoftime apo kërkesë nga prefekti i fshatit për të bërë vlerësime pas përmbytjeve.

Në vazhdim të mbledhjes, këshilltarët para vetes patën në shqyrtim edhe raportin përfundimtar buxhetor për vitin fiskal 2009. Megjithëkëtë, ai nuk kaloi pa reagime. Këshilltari Shahin Tahiri, u përqendrua te shpenzimet e udhëtimit brenda vitit, shuma e të cilave arrin 3 mijë euro, dhe te shpenzimet për zyre, në shumën prej 105 mijë euro. Kuvendarët, në vazhdim kanë debatuar për skemën organizative të komunës, disa nga të cilët nuk dinin nëse posti i nënkryetarit të komunës është post në vete, apo vetëm zëvendëson kryetarin, kur ai nuk ndodhet aty.  Në këtë pikë, ka qenë e nevojshme ndërhyrja e Qerime Kocit, zyrtare ligjore, e cila hoqi mjegullën e këshilltarëve. Ajo tha se posti i nënkryetarit është post në vete.

Në vijim, deputetet, pasi dhanë në diskutim publik Rregulloren për përdorimin e gjuhëve zyrtare, miratuan propozimin për Planin Zhvillimor dhe Urbanistik të Komunës si dhe për Planet rregullative për qendrën e qytetit dhe për Lagjen e Dëshmorëve.
 

Skenderaj, 31 mars – Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Skenderajt, në mbledhjen e rregullt, të mërkurën, e kanë vlerësuar kurajues raportin njëvjeçar të punës për vitin e kaluar të ekzekutivit të komunës, respektivisht të kryetarit.