Republika e Kosoves

Skënderaj

Fjala e kryetarit

 Të dashur vendas të mi,

Me kërkesën tuaj si qytetarë, për t’i dëgjuar hallet tuaja në vizita dhe takime të panumërta,

ju më dhatë një obligim të shenjtë. Gjatë fushatës time kemi bashkëbiseduar  me sinqeritet, dhe u kam premtuar vetëm ato gjëra që jam në gjendje t’i mbrojë edhe me çdo kusht: transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e pastër!

Njëzëri ne dolëm me zotimin tonë kryesor: Bashkë për Skënderajn tonë!

Njëzëri ne mbajtëm fjalën, u bëmë bashkë për Skënderajn tonë!

Së bashku si qytetarë kemi lënë një shenjë në histori, dhe sot kemi përgjegjësi që së bashku të punojmë për bashkëqeverisje të mirë të Skënderajt, për hirë të së kaluarës tonë të përbashkët, dhe të ardhmes së fëmijëve tonë!

Jo, rastësisht gjatë fushatës nuk kam premtuar asgjë, përveç qeverisjes me duar të pastra, transparencë dhe llogaridhënie,me besim të plotë  se ky lloj i qeverisjës nga unë si kryetar dhe puna profesionale e ekipit time do të punojmë për të siguruar shumë investime në bujqësi e infrastrukturë, më shumë investime në arsim e shëndetësi, më shumë suksese për nxënësit për t’u regjistruar në universitete, më shumë sukses në sport e kulturë.

Tani është koha jonë për të ndërtuar të ardhmen e Skënderajt; për të ndërtuar transparencë dhe llogaridhënie në qeverisje; për të rikthyer shpresën dhe për të ndërtuar prosperitetin; për t’ju rikthyer idealeve të të parëve tanë që thellë në shpirtin e tyre kanë besuar gjithmonë se duhet të jemi të gjithë të bashkuar për Kosovën tonë, për Skënderajn tonë!
Si bashkëvendas i juaji, i përkushtuar me detyrën e shenjtë për të qeverisur me komunën tonë, unë do të vazhdojë të jem Bekimi juaj, i hapur por fjalëpak, punëtor i palodhshëm por gjithmonë i qasshëm për qytetarët, i vendosur për të instaluar në institucionet komunale, një kulturë dhe praktikë të punës perëndimore dhe të suksesshme.

Ju e dini se asgjë nuk na kthen prapa për ta zbatuar ligjin në të mirën e qytetarëve tonë, askush nuk na kthen prapa për dhënë gjithë përkushtimin tonë për të tjerët. Për këtë zotohem se do të jem shembull në rendin e Jasharëve, me përgjegjësitë e paraardhësve tanë.

I juaji gjithmonë,

Bekim Hamëz Jashari