Republika e Kosoves

Skënderaj

Investitorët Amerikanë të interesuar të investojnë në Pendën e Drenicës në Skenderaj

2018/10/18 - 9:32

Kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari, ka pas sot një takim të frytshëm me miqtë e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z.Daniel P. Cannon, një njeri i zot në financa ndërkombëtare dhe bankier investiv i dalluar, si dhe avokatin e tij, z.Julian Brew, me të cilët është në kontakt tash e sa kohë në lidhje me insistimin e kryetarit Jasharit për të sjellë investime dhe zhvillim për qytetarët e Skenderajt.

Daniel, i cili fillimisht ka ardhur në Kosovë i interesuar vetëm për investime në sektor të teknologjisë kryesisht në kryeqytet, tashmë ka një interesim jashtëzakonisht të madh për investime specifike edhe në sektorë tjerë në komunën e Skenderajt.

“Jam shumë i lumtur që ai u pajtua përmes argumenteve të duhura, duke filluar me besimin tonë të përbashkët në vlerat e lirisë dhe dashurisë për atdheun, dhe në veçanti për shkak të historisë së dhimbshme por krenare të përpjekjeve tona kombëtare për liri dhe për një të ardhme më të mirë”, është shprehur kryetari Jashari.

Ai ka thënë se shpeshherë për ne si njerëz është e rëndësishme të kujtojmë vlerat e përbashkëta dhe ngjashmëritë e përpjekjeve të popujve tonë për liri, për të vazhduar pastaj me atraktivitetin që ofron Skenderaj si lokacion, potencialin dhe mundësitë specifike për investime.
Pjesa më e madhe e kohës që ishin së bashku, i është kushtuar projektit të Pendës së Drenicës, projekt ky që do të sjell shumë të mira jo vetëm për qytetarët e Skenderajt, por për më shumë se 200 mijë banorë që do të zgjidhnin një herë e përgjithmonë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, sikurse që do të përfitonte edhe sektori i bujqësisë nga uji i mjaftueshëm për ujitje të të mbjellave.

“Pasi qëndruam së bashku për pak kohë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku mysafirët kërkuan të shohin vetë një pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe për të treguar respektin e tyre për dëshmorët dhe përpjekjet e Kosovës për liri, ne vizituam fshatin Kuqicë, nga ku edhe i informova nga afër për potencialin që ofron kjo pjesë e komunës sonë, për realizimin e Pendës së Drenicës”, është shprehur kryetari i Komunës së Skenderajt.

Gjatë muajit dhjetor, një ekip ekspertësh të inxhinierisë nga Amerika, do të vizitojnë Drenicën, për të kryer një studim më të detajuar të fizibilitetit, për të vazhduar më tutje me hapa konkretë për këtë projekt strategjik.

Tutje, kryetari Jashari ka thënë: “Për më tepër, këtë vizitë e shfrytëzova që t’i informoj mysafirët lidhur me synimet e qeverisjes sime, duke ofruar mbështetje të plotë dhe të fuqishme për investitorët me çdo mjet që ligji ma jep mua si kryetar. Si në çdo takim tjetër me investitorë të huaj, edhe miqve të mi sot u thash se nën qeverisjen time, çdo investim, qoftë i huaj apo vendor, do të jetë i mbrojtur dhe i qetë pa rrezikun e mit-marrjes apo veprimeve tjera të shëmtuara që dëmtojnë investitorët dhe shtetin tonë”, ka theksuar kryetari i Skenderajt, z.Bekim Jashari.