2010/06/30 - 12:00
Kështu u tha në një mbledhje të krerëve të shoqatave të dala nga lufta me kryetarin e komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ku morën pjesë edhe Faik Fazliu, udhëheqës i Zyrës për çështje të veteranëve dhe kryetari i OVL të Kosovës, Muharrem Xhemaili.
Kryetari Lushtaku ka thënë se në Kompleksin e Marinës duhet të rivarrosen të gjitha mbetjet mortore të dëshmorëve me status të verifikuar, dhe ka kërkuar nga drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta që të jenë të saktë në këtë. “Duhet të kihet kujdes me listat e dëshmorëve, pasi p.sh, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Polac, janë të varrosur edhe ushtarë tjerë të cilët nuk e kanë statusin e dëshmorit dhe qe kanë vdekur pas lufte”, ka deklaruar ai, duke këmbëngulur që të mos lejohet qe dikush qe nuk është dëshmor të varroset në kompleksin e varrezave në Marinë. Sipas tij, ky duhet të jetë kryesisht obligim i shoqatave të ndihmuar edhe nga ndonjë mekanizmi profesional, dhe premtoi përkrahjen e komunës me një veturë dhe me karburante.
Përcaktimin e saktë të numrit të dëshmorëve e ka potencuar edhe Faik Fazliu, udhëheqës i zyrës për çështje të veteranëve në Kryeministri, dhe këshilltar i kryeministrit Thaçi. “Me këtë çështje duhet të merret Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, në nivelin qendror dhe dega në Skenderaj, të përkrahura edhe nga Qeveria e Kosovës dhe nga komuna”, tha ai. Ndërkaq, Muharrem Xhemaili, kryetar i OVL, tha se shkapërderdhja e varrezave të dëshmorëve po krijon probleme edhe me rastin e homazheve në data të caktuara. “Vetëm në rajonin e Drenicës kemi rreth 200 varreza të dëshmorëve, ndërsa ne nuk po mund t’i vizitojmë të gjithë dhe t’i nderojmë, dhe në këtë mënyrë po ndodhin ndarje të padëshiruara”, ka thënë ai. Edhe ai nënvizoi problemin e saktësimit të ushtarëve me status të dëshmorit, pasi siç tha ai, “ka raste kur kanë humbur jetën në aksident trafiku pas lufte, ndërsa janë varrosur në varrezat e dëshmorëve”.
Ndërkaq, kryetari i degës së SHIL-it në Skenderaj, Haku Aruçi, ka njoftuar se ka probleme edhe me pajtimin e familjeve për t’i rivarrosur mbetjet mortore të dëshmorëve. “Vetëm rreth 75 për qind e familjeve të dëshmorëve kanë pranuar që t’i zhvendosin dëshmorët në Marinë, pasi në disa raste tashme 2-3 herë ka pasur zhvarrosje e rivarrosje”, ka treguar ai.
Skenderaj, 30 qershor – Ka nisur realizimi i iniciativës se kahershme për bartën e të gjitha mbetjeve mortore të dëshmorëve të rajonit të Drenicës, në varreza të përbashkëta, ndërsa si vend i tillë ishte caktuar Kompleksi Memorial i UÇK-së në Marinë. Mirëpo, para se të fillohet me këtë duhet të bëhen përgatitje të gjithanshme prej të cilave më e rëndësishmja është definimi i saktë i statusit të dëshmorit.