2010/09/27 - 12:00
Skenderaj, 27 shtator – Kuvendi Komunal i Skenderajt ka miratuar njëzëri dhe pa diskutim, ridestinimin e 199.104 euro të kursyera nga 4 projekte, dhe ato janë dedikuar për financimin e projekteve tjera siç janë gjelbërimi i qytetit, ndërtimin e kanalizimit në Runik, ndriçimin publik të qytetit, rrugën dhe kanalizimin e shkollës norvegjeze, renovimin e ambulancave në Prekaz të Epërm dhe Çirez, etj.
Sqarimin se si ka ardhur deri të kursimi i këtyre mjeteve e ka dhënë drejtori i DEF-it, Ismet Aliu. Sipas tij, projektin për planin zhvillimor të qytetit,dhe atë të ujësjellësit Prekaz- Dashefc, do t’i financojë Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, kurse projektin për blerjen e 5 aparateve laboratorike e ka marrë përsipër UNDP-ja, ndërkaq nga projekti për rinovimin e ambulancave në Runik, Rezallë e Polac, për shkak të kontraktimit më çmim më të ulët, janë kursyer 15.110 euro.
Miratimi i draft-buxhetit për 2010-2013, nuk ka shkuar pa diskutime dhe propozime të kuvendarëve por në fund u miratua me një votë abstenim. Sipas materialit të prezantuar buxheti për vitin 2011 është planifikuar të jetë 13% me i madh se sa buxheti fillestar i vitit 2010, dhe ai do të jetë në total 7.541.360 euro. Në sferën e projekteve kapitale ky buxhet është më i madh se sa i vitit të kaluar për 3,27 për qind, dhe është paraparë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, ujësjellësit, kanalizimit, objektin e komunës, aneksin e QKMF-s etj. gjithsej mbi 30 projekte. Ndërkaq në 2 vitet në vazhdim parashihet investime edhe në dhjetëra projekte tjera.
Skenderaj, 27 shtator – Fillimi i seancës se KK-së ka qenë shumë prekës pasi në ulësen e tij mungonte kuvendari Fadil Rrustemi, njëri ndër intelektualet, udhëheqësit dhe luftëtarët më të devotshëm të kësaj ane. Me emocione deri në lot, u përcoll fjala përkujtuese e kryesuesit të Kuvendit dhe homazhi për të ndjerin.
Vendi i Rrustemit në Komitetin për Politikë e Financa, nuk u plotësua pasi Grupi parlamentar i PDK-së, nuk kishte përgatitur propozimin e anëtarit të ri.