Republika e Kosoves

Skënderaj

Orë letrare në Prekaz

2010/05/29 - 12:00

Skenderaj, 29 maj – Poetesha nga shumë vise shqiptare, të cilat kanë marrë pjesë në takimin tradicional kulturor “Takimet e Poeteshave Shqiptare 2010”, të cilin e organizon Komuna e Vushtrrisë, kanë vizituar Prekazin e Skenderajt, me ç’rast kanë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve ne Lagjen Jashari dhe kanë mbajtur orë letrare.

Duke u uruar mirëseardhje në vendin ku përfundimisht ndryshoi gjysma e historisë shqiptare, Xhavit Aliu, drejtor i Bibliotekës Komunale në Skenderaj tha se ngjarja kulturore tradicional \"Takimet e Poeteshave Shqiptare\", organizuar nga Komuna e Vushtrrisë për të 28-tën herë, është padyshim një shënim i madh kulturor dhe letrar, e cila i shërben afirmimit të vlerave krijuese të poeteve tona në nivel kombëtar dhe afirmimit të vlerave poetike në përgjithësi. “Fryma bashkëpunuese që është krijuar mes Komunës së Skenderajt dhe asaj të Vushtrrisë, për këtë aktivitet dhe shumë aktivitete të tjera kulturore, tregon më së miri se fryma e bashkëpunimit begaton aktivitetet të këtilla, prandaj organizimi i kësaj ore letrare këtu, në Kompleksin Përkujtimor \"Adem Jashari\" madhështon këtë ngjarje të veçantë kulturore”, ka thënë ai. Ndërkaq, Feriz Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, duke folur për takimin e poeteshave në Prekaz, tha se jo rastësisht simbolika koincidon në këtë vend, te ideali i komandantit Adem Jashari, sepse i tillë ishte ideali i tij, që të gjithë shqiptarët t\’i gjejë në një votër, në një sofër. “E kam të domosdoshme që në emër të Drenicës, në emër edhe të atyre që përfaqësojnë Kompleksin Përkujtimor, në emër të strukturave komunale të Skenderajt dhe të kryetarit Sami Lushtaku, i cili e pati të pamundur të jetë këtu, t\’ju uroj mirëseardhje. Frymëzimi, vargu dhe vazhdimësia e vargut tuaj, le të jetë edhe një inspirim më tepër në Prekazin legjendar”, ka thënë Ferizi, kurse krijuesi Bedri Tahiri, i cili foli në emër të Këshillit Organizativ të “Takimit të Poeteshave Shqiptare”, ka thënë se në truallin e Prekazit fjalët janë të pafuqishme karshi heroizmit të atyre burrave, grave dhe fëmijëve që me armë në dorë e këngë në gojë u shkrinë për liri. “Vetëm ju mund t\’u dilni hakut duke ju thurur himne lavdie dhe duke ju ngritur lapidarë pavdekësie. Komandanti Adem Jashari me familje e bashkëluftëtarë ranë duke kënduar dhe vetë u shndërruan në këngë. Ata zunë vend edhe në vargjet tua të mrekullueshme dhe u bënë frymëzim për ardhmërinë”, ka thënë Tahiri, duke falënderuar nikoqirin për mikpritje dhe për këtë organizim artistik, për të cilin tha se është kjo dëshmi e fortë e thellimit të bashkëpunimit ndërkomunal, me qëllim që kjo ngjarje e madhe kulturore të shtrihet edhe në Drenicë, prej nga në të shumtën e rasteve lindën edhe frymëzimet krijuese.

Orën letrare e hapi vogëlushja Diarta Ismajli, anëtare e Teatrit të Qytetit \"Naser Kodra\" në qytet, me poezinë \"Bac, u kry’!\". Pas kësaj, pjesëmarrëset deklamuan vargje nga poezitë e tyre.
 
Çamëri, u kry’?

Për Keidi Sejdiun, poeteshë nga Çamëria, vizita në Prekaz ishte emocionuese. Ajo ka shfrytëzuar aktivitetin e poeteshave për të realizuar vizitën e saj të parë në Kosovë dhe Prekaz. Dashuria për këtë vend, dhembshuria për sakrificën e të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës dhe çështja e pazgjidhur e komunitetit çam në Greqi, diktohej në sytë e saj. Lotët nuk arrinte t’i ndalte teksa rrëfente një pjesë të historisë në familjen e saj, e cila ishte masakruar në krahinën e Paramithisë së Greqisë. “Sot kur pash monumentet e varreve mu kujtua një histori e gjyshes sime që më tregonte për Çamërinë, për masakrën e Paramithisë më saktë, ku i gjithë fisi i saj u shua në një ditë, në masakrën e 27 qershorit, datë kjo që për ne, komunitetin çam, është shumë e rëndësishme, simbolikë shumë e madhe. Ne të gjithë protestojmë dhe kërkojmë një të drejt shumë të madhe, kërkojmë që të shkojmë në tokat tona, shtëpitë tona, kërkojmë të shkojmë te varret e gjyshërve tanë. Dhe sot kur jam afër jush dhe ndjej që ju keni realizuar këtë ëndërr, keni një shprehje që thoni \"Bac, u kry’\" unë ndjej përgjegjësi time moral, që kemi edhe në një mision shumë të rëndësishëm për të përfunduar, për të thënë edhe ne “u kry”, thotë Keidi, rreth të 27-tave. Ajo shprehet se me poezi ka filluar të merret që në moshën 10 vjeçare, duke kurorëzuar angazhimin 17 vjeçar me botimin e dy vëllimeve me poezi, ndërkohë që gati për botim është edhe libri i tretë. “Ajo që shoh sot dhe më emocion. Të shoh dhe të prek vet me lotët e mi së sa afër jemi, Kosova dhe Shqipëria, edhe Çamëria bashkë. Atë që ndjej këtu, nuk e kam ndjerë atje, në vendin tim”, ka thënë ajo për vizitën e saj të parë në Kosovë. Poetesha thotë se të shohësh me sy dhe të prekesh këtë vend, dallon shumë nga ajo që ka parë në ekran apo dëgjuar. “Të shohësh barin e gjelbër që valëvitet dhe të pengon të shohësh muret e shpuara nga plumbat. Kur e shoh atë valëvitje, nuk tingëllon më era, por tingëllojnë ata zëra të plumbave që kanë tingëlluar dikur dhe kanë shpuar zemrat e atyre foshnjave, atyre vajzave të reja, tek të cilat pash se sa të rinj kanë humbur jetën për një çështje kaq të madhe, lirinë. Nuk mund ta përjetojë këtë nga larg. Asnjëherë nuk mund ta konceptoja se si ishte realiteti. Unë sot jam e frymëzuar”, ka thënë ajo.
 

Skenderaj, 29 maj – Poetesha nga shumë vise shqiptare, të cilat kanë marrë pjesë në takimin tradicional kulturor “Takimet e Poeteshave Shqiptare 2010”, të cilin e organizon Komuna e Vushtrrisë, kanë vizituar Prekazin e Skenderajt, me ç’rast kanë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve ne Lagjen Jashari dhe kanë mbajtur orë letrare.