Republika e Kosoves

Skënderaj

Prekazi vendi që bashkon të gjithë

2010/03/06 - 12:00

Prekaz, 6 mars – Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, ushtarakë, delegacione komunash dhe qytetarë nga mbarë trevat shqiptare kanë nderuar sakrificën sublime të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe të familjes së tij, në Prekaz të Poshtëm të Skenderaj, në kuadër të “Epopesë së UCK-së”, kushtuar luftës së 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998. Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, që shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij, ka bërë homazhe të shtunën në varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, dhe ka qëndruar në Kullën e Familjes me ç’rast është pritur nga Rifat Jashari. Pas homazheve te varri i komandantit të UCK-së, kreu i shtetit tha se sakrifica e familjes Jashari është shëmbëlltyrë për brezat që do të vijmë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për gjithë njerëzit e botës që e duan lirinë njerëzore. “Unë erdha si gjithmonë në nderim të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, të bac Shabanit të Hamzës dhe të gjithë të rënëve të tjerë, që u sakrifikuan për lirinë e vendit, në ditët kur duhej më së tepërmi që jetë kjo shëmbëlltyrë, ata e bën dhe kanë mbetur unikal me veprimin e tyre për breza e breza që do të vijnë, jo vetëm për ne shqiptaret, por edhe për të gjithë njerëzit e tjerë të botës që e duan lirinë njerëzore”, ka thënë Sejdiu, duke shtuar se institucioneve u mbetet borxh i vazhdueshëm që amaneti i tyre, si vizion si qasje për lirinë e vendit dhe ndërtimin e tij mbi bazë të zhvillimeve të mira, të ecet përpara, dhe natyrisht, siç tha ai, Kosovën ta bëjmë ashtu siç kanë dëshiruar ata që kanë rënë për lirinë e saj. Presidenti tha se është nder për të sepse ka pasur mundësinë ta njoh Adem Jasharin, ndërkohë ka kujtuar kohën e sulmeve të egra që u bënë në familjen Jashari. “Në mënyrën më të mirë të mundshme familja ka ditur të rezistojë atë presion të madh që makineria serbe ka bërë ndaj tij dhe saj, dhe natyrisht është e paharrueshme gjithë ajo pjesë e përkushtimit të tij për ditët e sotme”, ka thënë ndër të tjera Sejdiu.

 

Edhe kryeministri Hashim Thaçi ka bërë homazhe te varri i Adem Jasharit dhe dëshmorëve tjerë. “Sakrifica sublime e komandantit dhe familjes së tij, është dhe do të mbetet udhërrëfyes për të ardhmen. Ky është vendi i marrjes së energjive dhe përgjegjësive të reja, vend i lavdisë, krenarisë, në angazhimet tona demokratike, kombëtare dhe euroatlantike, prandaj sot gjithë shteti, gjithë qytetarët respektojnë dhe nderojnë komandantit Adem Jashari, familjen e tij, UCK dhe dëshmorët e lirisë. Ky është vend i bashkimit dhe i vizionit edhe për të ardhmen”, ka theksuar ai.
 

Në Prekaz, u gjend edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, së bashku me anëtarët e Kryesisë. “Pas 12 viteve, këtu ku jemi sot, janë shpërndarë rrezet e dritës, rrezet e lirisë. Sot, pas 12 viteve, të gjitha rrugët e Kosovës të sjellin në Prekaz, për të nderuar dhe përulur para atyre që gjithçka patën e dhanë për lirinë dhe ardhmërinë e vendit tonë”, ka thënë Krasniqi pas homazheve në Prekaz. Edhe kryeministri edhe kryeparlmentari, pasi kanë nderuar dëshmorët, kanë qëndruar në familjen Jashari, me ç’rast janë pritur nga vëllai komandantit të UCK-së, Rifat Jashari.
 

Prekaz, 6 mars – Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, ushtarakë, delegacione komunash dhe qytetarë nga mbarë trevat shqiptare kanë nderuar sakrificën sublime të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe të familjes së tij, në Prekaz të Poshtëm të Skenderaj, në kuadër të “Epopesë së UCK-së”, kushtuar luftës së 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998.