Republika e Kosoves

Skënderaj

Tryezë me deputetë

2010/04/28 - 12:00

Skenderaj 28 prill -Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një tryezë me temën “Puna e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e tretë”. Qëllimi i tryezës ka qenë prezantimi i punës së deputeteve nga Komuna e Skenderajt, raportet në mes autoriteteve lokale, shoqërisë civile me qytetarë dhe mendimi i debatuesve se sa po përfaqësohen interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës. Në këtë tryezë kanë marrë pjesë 4 nga pesë deputetë nga kjo komunë, derisa ka munguar Gani Koci për shkak të obligimeve.
 

Elheme Hetemi, deputete: Mendoj se lokalizmat nuk duhet të vijnë në shprehje në punën e Kuvendit të Kosovës, pasi në Kosovë ekziston një zonë elektorale. Jam anëtare e një komisioni dhe aty kryesisht angazhohem, si dhe në Kuvend përcjellë shqetësimet e bazës.
 

Gani Geci, deputet: Jam kryetar i një komisioni dhe anëtar i një tjetri. Punën time, në rend të parë i mbrojë interesat e Drenicës, duke filluar nga fshati im, ku kam punuar për projektin e rrugës, në vlerë prej 3.4 milionë euro. Mburrem që jam nga Drenica. Në nivel të komunës kam ngritur zërin për rrugët Skenderaj-Vushtrri dhe Skenderaj-Klinë. Shpesh kam ngritur edhe çështje të tjera përmes pyetjeve parlamentare dhe kontakteve me përfaqësuesit të Ministrisë së Ambientit, për aktivizimin e Fabrikës së Ujërave të Zeza në Llaushë.
Projektet që janë realizuar në Skenderaj janë meritë e kryetarit të komunës, i cili shumë mirë ka shfrytëzuar autoritetin që ka, për të sjellë investime në komunë. Ato ishin shumë të arsyeshme, pasi komuna e Skenderajt është më e pazhvilluara prej vitit 1945. Pas lufte pushteti komunal në Skenderaj ka bërë disa gabime, si refuzimi i mjeteve të qeverisë së Bukoshit, kurse tani po bën që Bukoshi të jetë pjesë e kësaj qeverie.
Ai u shpreh i pakënaqur me punën e kolegëve të tij.

Ramadan Gashi, deputet: Parlamenti ka karakter përfaqësues ligjbërës dhe monitorues. Jam anëtar i dy komisioneve dhe i disa grupe punuese. Ndoshta krijohet përshtypja se nuk jam shumë aktiv në seancat e Kuvendit, sepse një gjë e tillë i takon opozitës, por unë aktivitetin tim e ushtrojë në këto komisione. Prej projekteve në të cilat kam kontribuar më së shumti është rruga Skenderaj-Vushtrri. Komuna e Skenderajt është shembull për angazhim, kurse përkrahja nga qeveria e Kosovës është e drejtë, sepse po investohet në viset e pazhvilluara.
 

Abdyl Ymeri, deputet: Përkundër asaj që Kosova është një zonë elektorale, Skenderajn e konsideroj bazë elektorale, ngase 90 % të votave i kam nga Skenderaj.
Debati
Janë shtruar pyetjet për kontributin e tyre konkret, për mungesën e kontakteve me qytetarë, për mungesën e zyrës me qytetarë (Sabit Istogu).
 

Hajriz Koci: Me disa jemi të kënaqur, me disa deputet më pak. Ju mungojnë kontaktet me qytetarë, sidomos me zona të caktuara. Zyra e PDK-së në Skenderaj është në dispozicion të tyre, nëse ata duan ta shfrytëzojnë.
 

Murat Musliu: Më shumë se deputet të zonës, ju jeni deputet të partive politike, sepse në rend të parë i keni interesat partiake, gjë që del nga sistemi zgjedhor ekzistues.
 

Ismet Salihu: Dihen notat me të cilat KDI-ja ju ka notuar, dhe me intereson mendimi i juaj se a pajtoheni me këtë vlerësim.
U shtruan pyetje edhe për çështjen e futjes së lëndës mësim-besim në shkolla (Qazim Rama)
 

Ajnishahe Shala-Halimi: Kërkoj të angazhoheni për miratimin e ligjit të punës dhe ngritjes së çështjes së vijueshmërisë së mësimit nga disa nxënës.
 

Përgjigjet e deputeteve
 

Gani Geci: Çështja e vlerës së investimeve në Skenderaj, nuk kam lejuar të debatohet në subjektin tim, por kam kundërshtuar kudo që kam qenë prezent, pasi ato janë shumë të arsyeshme.
Në Skenderaj nuk kam shumë vota, jo pse jam Gani, por pse nuk jam në PDK, kurse në Kuvend jam ndër më aktivet në ngritjen e çështjeve. Po të isha në PDK, do ta mbroja më shumë pozitën, sepse kanë hapësirë. Kandidimi i një personaliteti të njohur nga një familje shumë e çmuar, Murat Jashari, për avokat të popullit, ka qenë gabim, pasi kreu i atyre që kanë propozuar e ka ditë që kjo nuk mund të realizohet. Jam angazhuar që shtatorja e Adem Jashari të ngrihet në Prishtinë dhe në qendrat e tjera, pasi ajo vendin e ka te ‘Trekëndëshi i Titos’.
Elheme Hetemi: Kemi kontakte me qytetarë, ndërsa për zyre nuk kemi qenë këmbëngulës. Jam kundër futjes së lëndës në shkolla, sepse mendoj se jemi ende në fazën e formimit të shtetit.
Kundër kësaj është shprehur edhe Geci, kurs Abdyl Ymeri ka qenë për futjen e saj në shkollë.
 

Skenderaj 28 prill -Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një tryezë me temën “Puna e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e tretë”.