U dridh mali polli një mi
2010/09/28 - 12:00
Kontrolle janë kryer edhe në zyrën e kryetarit dhe në zyrat e disa anëtarëve të komisionit, me ç’rast është marrë një sasi dokumentacioni që ka të bëjë me ndarjen e atyre banesave, disa kompjuterë dhe janë kopjuar shënimet në serverët e komunës.
Pas kryerjes së këtij operacioni, në një konferencë për gazetarët janë deklaruar kryetari Lushtaku,avokati i tij z. Mahmut Halimi dhe zëvendëskryetari, Fadil Nura.
Kryetari Lushtaku fillimisht ka treguar se në momentet kur ka ndodhur bastisja nuk ka qenë në shtëpi, pasi pasdarke kishte dërguar nipin e sëmurë në Prishtinë. “Për bastisjet kam marr vesh pas orës 9,oo dhe këtë nuk e kam marrë shumë seriozisht dhe nuk jam shqetësuar sepse jam mësuar që për çdo vit t’më bëhen kontrollime të tilla, ndoshta më keq ndihem kur nuk vijnë”, ka thënë ai me humor. I pyetur për arsyen e këtyre bastisjeve ai ka thënë se nga nënkryetari ka mësuar se është fjala për ndarjen e banesave sociale, por se deri tash nuk është kontaktuar nga askush tjetër. “Komisioni për ndarjen e banesave ka qenë i emëruar nga Asambleja Komunale dhe ai ka bërë punën e vet”, ka sqaruar i pari i komunës. I pyetur se a ka ndikuar ai në ndarjen e banesave, Lushtaku ka thënë se për këtë më mirë është të pyeten anëtarët e komisionit. “Unë absolutisht nuk kam ndikuar në komisionin e përbërë nga anëtarët e Asamblesë, shërbyesit civil dhe pjesëtarë të shoqërisë civile” ka treguar ai.
Më shumë se EULEX-it, Lushtaku, kësaj radhe për bastisje ia ka parë për të madhe Agjencisë për Antikorrupsion. “AAK nuk ka pasur fare nevojë të ndërmarrë këtë aksion, pasi edhe ata, edhe EULEX-i, edhe çdo kush i ka dyert e hapura në komunë, sepse ne jemi mbështetës të ligjit dhe jam dakord që shkelësit e ligjit të ndiqen”, ka potencuar Lushtaku, i cili ka shprehur habinë e tij se pse gjithmonë merren me Skenderajn, duke u përpjekur ta paraqesin si shembull jo të mirë.
Agjencinë Antikorrupsion e kanë akuzuar edhe nënkryetari i Komunës, Fadil Nura, sipas të cilit Agjencia … ka shkelur procedurat ligjore të cilat i rregullojnë afatet për përgjigje dhe ka shprehur bindjen e tij se nuk ka pasur vonesa. Këtë e ka spikatur edhe Mahumet Halimi, avokat mbrojtës i Lushtakut, i cili ka thënë se “organi i drejtësisë është sjellë në lajthitje të thellë nga neglizhenca ose burokracia e papërgjegjshme e AAK-së”. “Më 17 të këtij muaji janë kërkuar të dhëna shtesë, kurse Komuna është përgjigjur më 21 shtator, që do të thotë së është afati brenda afatit 3 ditor, pasi dita e marrjes së shkresës nuk llogaritet”, ka shpjeguar ai. Sipas avokatit AAK nuk ka pritur përgjigje, por ka kërkuar nga Prokurori special dhënien e urdhrit për bastisje. “Bastisja nuk do të thotë së është hapur ndonjë procedurë penale dhe deri tash ndaj asnjërit prej tetë të apostrofuarve nuk është hapur kurrfarë procedure”, ka deklaruar në fund Halimi.
Ndryshe, vitin e kaluar në Skenderaj ishte ndërtuar objekti i tretë social për banim kolektiv të të pastrehëve. Për 43 banesa, kishin aplikuar 183 familje të pastrehë. Sipas anëtarëve të komisionit para se të merrej vendimi për ndarjen e banesave ishin vizituar të gjithë aplikuesit dhe ishin bërë dosje të detajuara edhe me fotografi. Me rastin e ndarjes se çelësave, ata i kishin deklaruar gazetës se kanë punuar ndershëm dhe se kanë mbetur pa përfituar edhe shumë tjerë qe i kanë plotësuar kushtet për të përfituar, por aq ishte mundësia.
Skenderaj, 28 shtator – Në bazë të kërkesës së për urdhër për bastisje nga prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Maria Bamieh, në orët e hershme të mëngjesit, nga policë vendorë e ndërkombëtarë është kryer një kontroll në shtëpinë e kryetarit të Komunës Sami Lushtaku dhe në shtëpitë e disa anëtarëve të Komisionit për ndarjen e banesave sociale, me motivacion se janë bërë keqpërdorime të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së këtyre banesave.