Republika e Kosoves

Skënderaj

Zbulohet shtatorja e Ilaz Kodrës në Drenas

2019/04/30 - 2:56

Sot në Drenas, në praninë e zyrtarëve të lartë të institucioneve, kryetarit të Komunës, z.Bekim Jashari, nënkryetarit z.Nuredin Lushtaku, kryetarit të Parlamentit të Kosovës, z.Kadri Veseli, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, kryetarit të Drenasit, z.Ramiz Lladrovci, gjeneralëve të Ushtrisë së Kosovës, shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarëve, dhe një numri të madh të qytetarëve, është bërë zbulimi i shtatores së komandantit Ilaz Kodra, në 20-vjetorin e rënies së tij, 40 dëshmorëve dhe 278 martirëve të kombit.

Kryetari Jashari në fjalimin e tij në manifestim, ka thënë se liria e vendit ishte e shtrenjtë, e paguam me çmim të lartë në një luftë të pabarabartë karshi një okupatori djallëzor.

Përballë një agresori i cili ka shkaktuar qindra masakra në gjithë Kosovën, duke mos kursyer të pambrojturit, në mesin e të cilëve kishte fëmijë të vegjël, pleq, dhe gra.
Plagët tona nuk janë shëruar akoma, dhe nuk do të shërohen derisa të dihet fati i të zhdukurit të fundit, tha kryetari Jashari, për të vazhduar se, ne populli i Kosovës e kishim të shkruar vuajtjen shekullore, të të parëve tanë dhe brezave tjerë, për të ardhur deri te çlirimi përfundimtar i vendit tonë.

Përvjetorët e dëshmorëve dhe martirëve të kombit, janë dëshmi e epokës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qëndresës kolektive kundër poshtërimit dhe përbuzjes.

Këtij populli atdhetar, asnjëherë nuk i kishin munguar heronjtë dhe luftëtarët, që ishin të gatshëm të paguanin me jetë çmimin e lirisë.

Të tillë ishin dëshmorët që i kujtojmë sot, të tillë ishin martirët, gjaku i të cilëve u bë dritë në rrugëtimin tonë drejt lirisë.

Kosova dhe populli i saj janë krenarë me trimërinë e bijve dhe bijave më të zot të kësaj toke, që do të mbahen mend dhe do të nderohen për sa të ekzistojë njerëzimi.

Lavdia u takon dëshmorëve, ata janë krenaria jonë kombëtare.

Sot, përveç dëshmorëve dhe martirëve tjerë, kujtojmë me krenari edhe komandantin Ilaz Kodra, trimin e rrallë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ilazi ishte shok i ngushtë në kohëra të vështira me komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, prej stërvitjeve të para ushtarake në Shqipëri, në vitin 1991.

Ishte me Fehmiun e Xhevën, me Hamzën, dhe trimat tjerë, që nuk duronin pafundësisht okupatorin dhe vuajtjet e popullit shqiptar.

Sot, në këtë tubim, po hedhim në vepër figurën e Ilazit. Është ditë e shënuar ky përvjetor, për t’i bërë nder sakrificës së tij, për lirinë e Kosovës.

Po bëjmë zbulimin e shtatores së këtij trimi, monument ky që do të lërë përjetë gjurmën e vet ndër shekuj, për pasardhësit tanë, që do ta kujtojnë me respekt sakrificën sublime të Ilaz Kodrës.

Dhe, në emër të qytetarëve të komunës së Skenderajt, faleminderit, kryetar Lladrovci, që mundësuat ndërtimin e shtatores së Ilaz Kodrës!

Drenica dhe e tërë Kosova do t’iu jenë përgjithmonë mirënjohës dëshmorëve të kombit, martirëve dhe të gjithë të rënëve tjerë në fushën e nderit.

Pa sakrificën e tyre, nuk do të ishin të mundur liria dhe pavarësia e vendit.

Ata, me vetëdije të plotë u flijuan që ne që kishim fatin të jetonim, të rrojmë të lirë në shtëpinë tonë – në Kosovën tonë të dashur.

Të na shërbejë sakrifica e trimave dhe, duke kujtuar amanetin e të parëve tanë, për t’u angazhuar të gjithë, pa dallim, të ndërtojnë një të ardhme të ndritur.

Duke e kujtuar të kaluarën dhe vuajtjet e popullit shqiptar të Kosovës, t’ua lëmë gjeneratave të reja dhe fëmijëve tanë, Kosovën e sigurt, të zhvilluar në çdo aspekt, ku secili do të mund të krenohet me të arriturat.

Vetëm atëherë mund të themi se kemi përmbushur amanetin e dëshmorëve.

Këtë gjë, ua kemi borxh.

Lavdi e përjetshme komandantit Ilaz Kodra, lavdi dëshmorëve tjerë dhe martirëve të kombit!

Ndryshe, dita e sotme ka nisur me homazhe te busti i Ilaz Kodrës, tek Kulla e tij në Prekaz, bashkë me nënkryetarin Nuredin Lushtaku, bashkëluftëtarët e Ilazit dhe familjarët, për t’i shprehur nderim sakrificës së tij, për lirinë e Kosovës.

Homazhe gjithashtu janë bërë edhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë, në nderim të 40 dëshmorëve dhe 278 martirëve të Drenicës, në Shtuticë, te Kompleksi i Dëshmorëve, si dhe në fshatin Vërbofc.

Delegacioni i Komunës së Skenderajt ka marrë pjesë edhe në zbulimin e Lapidarit në kujtim të të rënëve të Çirezit, për nder të Zymer Feratit, Aziz Feratit, Osman Salihut, Lulzim Feratit, Lutfi Salihut dhe Isuf Feratit.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve tjerë dhe martirëve të kombit!