Komuna e Mitrovicës është njësi administrative në pjesën veriore të Kosovës. Komuna e Mitrovicës shtrihet në fushën në mes të lumenjve: Ibër, Sitnicë, Lushët dhe Trepça si dhe në shpatijet e kodrave që e rrethojnë. Mitrovica është një nga shtatë qendrat më të mëdhaja të Kosovës, në komunën e Mitrovicës banojnë 80.000 banorë sipas statistikave të fundit në Kosovë.
Një nga drejtoritë komunale është edhe Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, në vartësi të së cilës janë:
Biblioteka Komunale “Latif Berisha”,
Muzeu i Qytetit,
Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”,
Teatri Profesionist i Qytetit,
Galeria e Arteve dhe
Ansambli Artistik i Këngëve dhe Valleve.
Komuna e Mitrovicës ka 7 biblioteka publike me koleksione prej 152. 858 libra. Biblioteka kryesore e Mitrovicës ka koleksione prej 111.546 derisa degët e bibliotekave kanë 41.312 libra. Lufta dhe masat e dhunshme serbe të viteve 1990-1999, kanë dëmtuar bibliotekat e këtij qyteti në Bare, Vllahi, Banjë dhe në Ibër me 27.061 libra.
Aktivitetet Kulturore Tradicionale:
Kolonia Mbarëkombëtare e Artistëve Figurativë “Mitrovica Art Colony”
Festivali Tradicional i Komedisë
Green Fest
Festivali Veror Tradicional i Muzikës së Mirëfilltë Shqipe
Mitrovica Music Days
Festivali Muzikor i Fëmijëve “Cicërimat buzë Ibrit”
Ekspozita e Nëntorit dhe Çmimi “Kadri Kadriu”
Spektakli i Vitit të Ri
Botimi i revistës letrare “Fjalë e valë”
Përveç trashëgimisë së paluajtshme arkeologjike dhe arkitektonike që dëshmojnë jetesën në periudha historike është edhe trashëgimia e luajtshme dhe ajo shpirtërore, që sot e hasim në koleksionet muzeore dhe arkivat e regjionit dhe tek koleksionuesit privatë. Trashëgimia kulturore arkeologjike, arkitektonike, e lëvizshme dhe shpirtërore janë dëshmi të gjalla për kohët e kaluara dhe për historinë e bujshme politike e kulturore, jo vetëm si njohuri për të kaluarën por edhe si krahasim me kohën e tashme.
Regjioni i Mitrovicës në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme ka të listuara gjithsej 164 asete, prej të cilave 39 eksponate te luajtshme dhe 125 të paluajtshme prej nga 39 janë rezervate arkeologjike, 8 ansamble arkeologjike, 78 ansamble arkitekturore, përkatësisht 87 me karakter profan, 34 te natyrës sakrale dhe 4 utilitare.
Trashëgimia materiale
Lokacionet arkeologjike Fafos I dhe Fafos II, afër qytezës së Mitrovicës (neolitit)
Rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, Stan Tërg (shekulli XIII/XIV)
Rrënojat e Qytetit të Vjetër, fshati Vidishiq (mesjetar)
Qyteza e vjetër e Trepçës, fshati Zasellë (mesjetar)
Rrënojat e kompleksit mesjetar të ndërtesave, fshati Mazhiq
Xhamia e Mazhiqit (rrënojat), fshati Mazhiq (shekulli XIV/XV)
Hamami, qyteza e Mitrovicës (shekulli XVIII)
Shtëpia e Arsim Leniqit, qyteza e Mitrovicës (shekulli XVIII)
Kulla e Sherif Gashit, qyteza e Mitrovicës (shekulli XVIII)
Shtëpitë e Xhafer Devës, qyteza e Mitrovicës (shekulli XIX-XX)
Shtëpia e familjes Korogly, qyteza e Mitrovicës (shekulli XIX)
Shtëpia e Avni Boletinit, qyteza e Mitrovicës (shekulli XIX)
Shtëpia e Florim Zenelit, qyteza e Mitrovicës (shekulli XIX)
Shtëpia e Nevzat Abrashit, qyteza e Mitrovicës (shekulli XIX)
Shtëpia e Spiro Budimirit, qyteza e Mitrovicës (shekulli XIX)
Kulla e Ymer Ymerit, qyteza e Mitrovicës (shekulli XX)
Hoteli Jadran, qyteza e Mitrovicës (1928)
Trashëgimia Natyrore
Burimet minerare të minierave të Trepçës
Peizazhi i fshatit Bajgore
Peizazhi i fshatit Koshtovë
Trashëgimia jo materiale
Ygdyl – loja tradicionale gjatë dasmave
Plisi – kapela tradicionale
Punimi i shalëve
Endja/ tezgjahu
Krelanë me duqa – ushqim tradicional