Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

HISTORIKU

Pozita strategjike dhe sidomos ajo gjeografike në mes dy lumenjve të rëndësishëm, Ibrit e Sitnicës, ka bërë që territori i Mitrovicës të popullzohet qysh në parahistori. Albaniku (Monte Argentarum), i pasur me argjend e plumb prej kohës antike deri në Mesjetë, pastaj Trepça si vendburim i madh i plumbit, klima e përshtatshme, kushtet e mira për t’u marrë me bujqësi, blegtori, tregti etj., kanë ndikuar në koncentrimin e popullsisë në këtë mjedis. Pra motive ekonomike për themelimin e vendbanimeve dhe për përqëndrimin e popullsisë në këtë trevë, para së gjithash, kanë qenë blegtoria, bujqësia, gjuetia e më pas edhe xehetaria në fillim e zhvilluar në masë modeste për t’u bërë më vonë një ndër shkaqet kryesore të depërtimit romak dhe pushtuesve sllavë, osmanë etj, në këtë anë.Kjo trevë, sikurse pjesët tjera të Gadishullit Ilirik, në lashtësi kanë qenë e banuar me banorë ilirë, përkatësisht fisin dardan.

Në territorin e sotëm të trevës së Mitrovicës janë zbuluar disa gjurmë ndërtesash, një nekropol ilir, statuja të ndryshme prej balte e prej plumbi, një sarkofag, figura e Terpsikorës (Muzës së vallëzimit) etj. Jeta ekonomike në Dardani, pra edhe në trevën e Mitrovicës ka qenë e mbështetur në radhë të parë në bujqësi. Në shek. I të e.r. Iliria u gjend nën sundimin romak. Mitrovica në këtë kohë mund të ketë qenë stacion pushimi dhe si vend i përpunimit të metaleve. Në kohën romake, pas Ulpianës, qendra e dytë e rëndësishme ishte Municipium DD afër Soçanës (Soçanicës) e banuar edhe në parahistori. Në fund të shek. IX treva e Mitrovicës, bashkë me territorin e Kosovëa u gjend nën sundimin e shtetit bullgar të Car Simeonit (897-927), ndërsa pas rënies së kësaj mbretërie u rikthye nën sundimin e bizantit. Më 1185 viset shqiptare të veriut të Kosovës u pushtua nga shteti serb i Nemanjve. Këtu fillon periudha më e vështirë dhe më e errët për popullsinë shqiptare. Sundimtarët serbë e shdërruan këtë trevë në qendër politike, ekonomike, kishtare të shtetit të tyre, duke zbatuar politikën e tyre asimiluese. Në kohën e sundimit të Car Dushanit shqiptarët ishin të detyruar të braktisin ritin katolik për t’u orientuar drejt ortodoksisë sllave. Me ardhen e sllavëve në këto treva, harta toponomastike ndryshoi fytyrën rrënjësisht. Shumë emërtime të vjetra iliro-shqiptare u zëvendësuan me emërtime të reja sllave.

Në gjysmën e dytë të shek. XIX Mitrovica u bë një qendër e rëndësishme ushtarake, ekonomike, tregtare. Në afërsi të Mitrovicës, në fshatin Boletin, prodhoheshin gurë mulliri “kosovar”. Si stacion i fundit hekurudhor, Mitrovica u bë stacion importues dhe eksportues. Përskaj rrugëve të shtruara me kalldrëm u hapën dyqane të ndryshme zejtare e tregtare. Ndër objektet më të rëndësishme shquhej sharra e Dragajve.

Popullata shqiptare e këtij mjedisi ka marrë pjesë edhe në ngjarjet vendimtare, si: në luftërat për çlirim gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII, në ngjarjet e periudhës së Tanzimatit, gjatë Rilindjes Kombëtare, gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, gjatë LDB-së e sidomos gjatë decenies së fundit të shek. XX. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit morën pjesë Ali Draga, Mulla Iliazi dhe qindra prijës e krerë të kësaj hapësire. Në gjysmën e dytë të shek.XIX dhe në decenien e parë të shek. XX janë të njohura luftërat për liri të popullatës shqiptare të kësaj treve të udhëhequra nga Isa Boletini. Më 1903 luftëtarët e Shalës së Bajgorës, të udhëhequr nga Jashar Boletini, Bejtë Selaci, Shaban Jashari etj., zhvilluan një kryengritje të përgjakshme kundër forcave turke për të kundërshtuar vendosjen e konsullit rus, Shqerbinit, i cili në popull njihej me emrin Kanxhalloz, në Mitrovicë. Atë e vrau Ibrahim Popovci nga fshati Suk i Gjilanit. Më 1906, Komiteti Shqiptar me qendër në Manastir i shtriu degët e veta në tërë hapësirën shqiptare. Një nga degët më të forta ishte edhe ajo e Mitrovicës. Prijësit e Mitrovicës organizuan Kuvendin e Ferizajt. Luftëtarët e Mitrovicës çliruan Pazarin e Ri (22 korrik), Mitrovicën, Prishtinën dhe marshuan deri në Shkup (1912). Kështu në fund të korrikut 1912 kryengritësit shqiptarë çliruan tërë Kosovën. Pas tre muajsh, pra në tetor 1912, filloi Lufta e parë ballkanike. Serbia e ndihmuar nga Rusia etj., arriti ta pushtojë Kosovën. Vetëm në Mitrovicë, e cila paraqiste një interes të veçantë politik dhe ekonomik për të, ajo solli më shumë ushtarë se ç’kishte banorë.

Isa Boletini_1.jpgShumë përfaqësues të kësaj treve morën pjesë në ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë, si Isa Boletini, Rexhep Mitrovica, Dervish Mitrovica, Hajdin Draga, Tafil Boletini. Rexhep Mitrovica kishte marrë pjesë në Kongresin e Elbasanit, ndërsa Isa Boletini udhëtoi me delegacionin në Londër për të biseduar lidhur me fatin e Shqipërisë e Kosovës. Nexhip Draga, ky mitrovicas ka qenë deputet në Parlamentin turk dhe, bashkë me Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin etj. luftuan për çështjen e autonomisë së Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Në vitet 1921-1924, mitrovicasi tjetër, Rexhep Mitrovica ishte ministri i parë reformator i arsimit në Qeverinë Shqiptare. Në kullën e Boletinit në vitin 1899 u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe.
Në vitin 1908, nga ky mjedis doli edhe një personalitet shumë i rëndësishëm, Rexhep Remziu, i cili gjithashtu në qytet hapi shkollën në gjuhën shqipe. Gjatë periudhës së sundimit austro-hungarez (1915-1918) këtu janë hapur disa shkolla, ku përpos Rexhep Remzi Efendiut, janë shquar edhe Hajrë Haxhija, Jusuf Rexha, Shaban Idrizi etj.

Më 1 maj 1918, ende pa përfunduar Lufta e Parë Botërore, u formua ilegalisht Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës. Anëtarë të këtij Komiteti kanë qenë edhe disa personalitete nga ky mjedis, si Tafil Boletini, Rexhep Mitrovica, Dervish Mitrovica etj. Ata së bashku me Hasan Prishtinën kundërshtonin politikën e Mbretërisë SKS, njoftonin mekanizmat ndërkombëtarë lidhur me dhunën e terrorin serb mbi shqiptarët. Popullata shqiptare nuk gëzonte asnjë të drejtë – as të drejtën për përdorimin e gjuhës së tyre, të drejtën për t’u shkolluar, për të zhvilluar kulturën nacionale etj. Shumë familje u shpronësuan. Në tokat dhe pasurinë e tyre u vendosën kolonë serbë e malazezë. Shumë familje u shtrënguan që të braktisin vatrat e tyre stërgjyshore e të shpërngulen në Turqi e ngjeti. Veçanërisht pësuan familjet e pjesëtarëve ose të përkrahësve të lëvizjes së rezistencës.

Më 1931 u vazhdua hekurudha deri në Kralevë. U ndërtua edhe rruga prej 70 kilometrash që lidhte Mitrovicën me Pejën. Në vitet tridhjetë pos gurores në Boletin e sharrës së Dragajve, punonte edhe sharra me avull e Xhafer Devës, pastaj një fabrikë e tjegullave, një mulli elektrik etj. Më 16 gusht 1938 kompania Kopaonik Mines Ltd u integrua me kompaninë Trepça Mines. Në fund të vitit 1938, u ndërtua shkritorja e plumbit në Zveçan. Furra e parë e shkritores u vu në shfrytëzim më 21 dhjetor të vitit 1939.
Konventa turko-jugosllave, e cila u nënshkrua më 11 korrik 1938, parashihte shpërnguljen masive të shqiptarëve sidomos nga fshatrat e rrethit të Mitrovicës dhe nga vetë qyteti. Ndër luftëtarët që u shqua në këtë kohë, ishte Ramadan Doroci (Dan Doroci) nga Brabaniqi.

Më 6 prill 1941 Gjermania dhe Italia sulmuan Jugosllavinë. Më 17 prill Jugosllavia kapitulloi. Menjëherë në Mitrovicë doli në skenë Xhafer deva, i cili formoi administratën me nëpunës shqiptarë e boshnjakë, hapi shkolla në gjuhën shqipe, formoi gjyqësinë, xhandarmërinë etj. Derisa territoret e tjera iu bashkuan Shqipërisë, rrethi i Mitrovicës me Vushtrrinë, Podujevën dhe Pazarin e Ri, për shkak të burimeve të pasura natyrore dhe pozitës strategjike, u përfshinë në zonën gjermane të pushtimit.

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore nga ky mjedis dolën personalitete të shquara, si Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Nexhip Deva, Muhamed Deda, Bedri Gjinaj, Xhelal Mitrovica e shumë e shumë të tjerë. Dy të parët kanë qenë kryetarë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Gjatë viteve 1943-44 Rexhep Mitrovica ka qenë kryeministër i Shqipërisë, ndërsa Xhafer Deva ministër i Punëve të Brendshme. Më 28 Nëntor 1941, në Mitrovicë u përkujtua 29-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kohë forcat çetnike sulmonin vazhdimisht kufijtë veriorë të Kosovës, duke rrezikuar kështu popullatën shqiptare në fshatrat Bistricë, Koshtovë e Vllahisë, Cerajë, Selac, Kaçanoll etj. Për ta ndalur këtë të keqe, qindra e mijëra vullnetarë shkuan në mbrojtje të kufirit. Në këtë kohë vepronte Lidhja Popullore Shqiptare me kryetar të parë të saj Rexhep Mitrovicën. Derisa nacionalistët si Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Bedri Gjinaj, Pajazit Boletini e të tjerë luftonin e punonin për bashkimin e Mitrovicës dhe territoreve të tjera të kësaj prefekture me Shqipërinë etnike, partizanët në krye me Ali Shukriun bashkëpunonin me komunistët serbë e malazezë, të cilët përpiqeshin që ta sëndertonin po atë politikë që kishin çetnikët – ta ripushtojnë Kosovën dhe ta terrorizojnë popullatën shqiptare. Më 8 shkurt të vitit 1945 u vendos Administrimi ushtarak. Okupimi i Kosovës nga ushtria Jugosllave u shoqërua me veprime terroriste, me operacione ndëshkimore, me masakra masive ndaj popullsisë shqiptare. Kundër grupeve të rezistencës, të cilat i udhëheqnin Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Bislim Bajgora etj., u lëshuan disa divizione të Armatës jugosllave. Pos prijësve dhe anëtarëve të familjeve të tyre u ekzekutuan e masakruan barbarisht edhe mijëra banorë të tjerë. Shumë nacionalistë u ekzekutuan, shumë të tjerë u zunë e u burgosën, ndërsa ata që arritën të shpëtojnë, kaluan tërë jetën në mërgim nëpër vendet e ndryshme të botës. Në këtë drejtim pësuan edhe anëtarët e ONDSH, të cilët vepronin në Mitrovicë e rrethinë. Ata kundërshtuan vendosjen e Administratës ushtarake, ripushtimin e Kosovës, vendimin e KQ të PKJ që Kosova t’i bashkangjitet Serbisë, klasifikimin e shqiptarëve në “pakicë kombëtare”, pastaj ripërtërirjen e “marrëveshjes xhentëllmene” të arritur midis Jugosllavisë e Turqisë më 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve, qëndrimin mohues ndaj traditave kulturore e historisë kombëtare etj. Më 1955-56 organet e sigurimit vunë nën tortura me mijëra shqiptarë të këtij mjedisi, sidomos të fshatrave të Shalës së Bajgorës.

Më 1966, pas shkarkimit të ministrit të punëve të brendshme të Jugosllavisë, A.Rankoviqit, shqiptarët morën pakëz frymë. Ata kërkuan të drejtat e tyre për arsim, për kulturë, për flamurin kombëtar, e deri rishikimin dhe ndryshimin e statusit politik të Kosovës. Më shumë të indinjuar ishin shqiptarët e Mitrovicës, sidomos minatorët e Trepçës, të cilët punonin natë e ditë, ndërsa djersën e tyre e shfrytëzonte Beogradi. Më 27 Nëntor 1968, në mesin e mijëra demonstruesve në Prishtinë ishin edhe studentët nga Mitrovica, të cilët, me flamurin kombëtar në duar kërkonin Kushtetutë, Vetëvendosje, Republikë, Universitet… Periudhën 1974 -1981, shqiptarët e Mitrovicës e përjetuan si një rilindje të tyre. Megjithatë, statusi kushtetues politik për ta ishte i pamjaftueshëm.

Si rrjedhojë e pakënaqësisë shpërthyen demonstratat e marsit të vitit 1981 në të cilat morën pjesë edhe qytetarët e Mitrovicës: nxënës, studentë, mësimdhënës, punëtorë, minatorë, bujq etj. Në këto demonstrata janë vrarë dhjetra qytetarë, janë burgosur qindra të tjerë. Pas ngjarjeve të vitit 1981, filloi një fushatë e egër kundër shqiptarëve në përgjithësi. Në fillim të vitit 1989, nën kërcënimin e armëve dhe me vota të joparlamentarëve Serbia likuidoi autonominë e Kosovës. Të parët që ngritën zërin kundër këtij vendimi ishin minatorët e Stantergut, të cilët u vetëngujuan në galeri të nëndheshme (22-28 shkurt 1989) dhe kështu sensibilizuan opinionin ndërkombëtar për gjithë atë që po ndodhte në Kosovë. Më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli “Republikën e Kosovës”. Në këtë drejtim kontribuan edhe delegatët nga Mitrovica. Një vit më vonë, më 26-30 shtator 1991, si kudo në Kosovë, edhe në Mitrovicë u organizua referendumi për t’i dhënë Republikës së Kosovës legjitimitetin e nevojshëm. Pas grevës së përgjithshme më 3 shtator, mijëra punëtorë shqiptarë u dëbuan nga vendet e tyre të punës. U larguan me dhunë nga objektet shkollore edhe mijëra nxënës, sidomos nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të mesme: Gjimnazit “Frang Bardhi”, SHMT “Arkitekt Sinani”, SHMM “Dr. Xheladin Deda”, SHME “Hasan Prishtina”. Nga këto shkolla ka pasur qindra nxënës të helmuar.Që nga viti 1992 e deri pas përfundimit të luftës mësimi është organizuar kryesisht në objektet private. Për shkak të shpërnguljes së shqiptarëve në disa vende perëndimore gjatë kësaj kohe ka rënë shumë numri i nxënësve.

Gjatë gjithë viteve ’80 e ’90 në Mitrovicë, si kudo në Kosovë ekzistonte një frymë e përgjithshme proteste dhe mospajtimi. Si reagim ndaj shuarjes me dhunë të autonomisë, ndaj ndjekjeve, burgosjeve, dëbimit nga vendet e punës, helmimeve, vrasjeve etj., si në mbarë Kosovën, edhe në Mitrovicë filloi organizimi i jetës politike paqesore. Dega e Lidhjes Demokratike në Mitrovicë, e prirë nga urtaku Latif Berisha, u bë faktor i rëndësishëm koheziv i organizimit dhe i mbajtjes së timonit të jetës në këtë regjion në të gjitha segmentet e saj. Më vonë u formuan edhe parti të tjera (Partia Parlamentare, Partia Republikane Shqiptare, Partia e Unitetit Kombëtar, Partia Demokristiane, etj), të cilat u bënë krah shumë i fortë në lëvizjen për çlirim. Në vitin 1992 u formua Qeveria Komunale e Koalicionit. Kryetar i saj ishte zgjedhur Agim Hajrizi. Nga organet e tjera që mbanin konturat institucionale në Mitrovicë, vlen t’i përmendim: Këshillin Komunal për Financim, Këshillin Komunal për Arsim, Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Shoqatën e Mjekëve, SHHB “Nëna Tereze”, Sindikatën e Pavarur, Shoqatën për Kthimin e të Shpërngulurve, Forumin e Intelektualëve Shqiptarë, , Këshillin Koordinues të Subjekteve politike dhe Jopolitike, Shoqatat e ndryshme letrare, kulturore, sportive etj.

Lëvizja çlirimtare në Mitrovicë e rrethinë mori hov në vitin 1998. Aksionet e para të UÇK-së lidhen edhe në vitet e mëhershme. Në Zonën Operative të Shalës rrokën armët për t’iu kundërvënë agresionit serb qindra e mijëra luftëtarë. UÇK-ja edhe në këtë mjedis u bë faktor përcaktues në veprimin e mëtutjeshëm politik. Më 24 mars, kur forcat e NATO-s filluan të godasin caqet ushtarake serbe, forcat kriminele ushtarako-policore e paramilitare masakruan në fillim dy udhëheqësit ideorë: Latif Berishën e Agim Hajrizin, pastaj vranë shumë të tjerë, dogjën shtëpi e objekte kulturore etj. Brenda disa ditëve këto forca të errëta dogjën të gjitha fshatrat, qendrën e qytetit dhe të gjitha lagjet ku jetonin shqiptarët (Qendër, Lagjja e Kërveshëve, Bajr, Ura e Gjakut, Shipol etj). Nga qyteti dhe fshatrat u dëbuan të gjithë shqiptarët. Gjatë luftës së tmerrshme u vranë qindra njerëz, madje edhe gra, fëmijë e pleq, u dëbuan në Shqipëri e vende të tjera mijëra të tjerë. Pas luftës janë zbuluar dhjetra varreza masive. Ende nuk dihet për fatin e shumë të zhdukurve. Pas luftës banorët shqiptarë u kthyen në vatrat e tyre stërgjyshore dhe filluan t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre.

Megjithatë shumë banorëve të cilët kanë jetuar në pjesën veriore të qytetit, ende sot e kësaj dite nuk iu mundësohet kthimi. Sot shtëpitë dhe banesat e tyre i kanë përvetësuar serbët. Disa godina shkollore, si Fakulteti i Xehetarisë e Metalurgjisë, Shkolla e Lartë Teknike, Shkolla e Mesme Teknike, Shkolla e Mesme e Mjekësisë, Shkolla fillore “Nonda Bulka” dhe Shkolla fillore “Aziz Sulejmani”, sot përdoren vetëm nga nxënësit serbë e malazezë. Gjithashtu në Spitalin e Qytetit nuk u lejohet ushtrimi i veprimtarisë së tyre mjekëve shqiptarë si dhe iu pamundësohet që të shërohen në të pacientëve shqiptarë.