Republika e Kosoves

Hani i Elezit

Komuna e Hanit të Elezit festoi shqip

2022/11/29 - 8:58

Nën patronatin e Kryetarit Mehmet Ballazhi, Komuna e Hanit të Elezit sot manifestoi “28 Nëntorin”, i cili në vete ngërthen data të rëndësishme dhe vendimtare për lirinë e trojeve shqiptare.
Në manifestim, me prezencën e tij na nderoi Gjenerali Kudusi Lame, figurë kyqe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i njohur me emrin “Babushi i UÇK-së”, Ahmet Isufi-ish Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besim Ilazi-Kryetar i Komunës së Kaçanikut, Rafis Aliti i njohur si “Komandant Msusi”, si dhe komandantë, eprorë, ushtarë të UÇK-së, e poashtu edhe përfaqësues të familjeve heroike të dëshmorëve, përfaqësues të veteranëve, ish-të burgosurve politik, invalidëve të luftës, këshillëtar komunal, drejtoritë komunale, të ftuar të tjerë nga Dibra e Madhe, Shkupi Dardan e më gjerë, e pa dyshim edhe publiku madhështor nga Hani i Elezit.
Mbrëmja u hap me himnin kombëtar shqiptar të interpretuar me zërin e fuqishëm të mezzosopranos Besiana Mehmedi dhe nën melodinë e pianos nga mjeshtri më i madh i shteteve Ballkanike, Shkëlzen Baftijari.
Fjalën e rastit e kishte Kryetari Mehmet Ballazhi, i cili i përshëndeti të pranishmit, e në veçanti Gjeneralin Kudusi Lame, ish-komandantin Ahmet Isufi, Kryetarin Ilazi, Komandant Rafis Aliti, si dhe të ftuarit e tjerë. Në fjalën e tij të rastit, Kryetari Ballazhi shtjelloi datat historike ndër shekujsh e dekadash që ndërlidhen me “28 Nëntorin”, si epoka e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Adem Jasharit e UÇK-së. Kryetari Ballazhi ndër tjerash tha: “Edhe pse populli shqiptar është i ndarë padrejtësisht dhe me dhunë në shtete të ndryshme, kjo gjë nuk ka ndikuar asnjëherë që ditët festive t’i përjetojmë bashkë, por edhe në ditët e zymta të jemi krah njëri-tjetrit.”
Për një fjalë rasti u paraqit edhe Gjenerali i Madh Kudusi Lame, që madhështoi skenën tonë me praninë e tij dhe elektrizoi publikun me fjalët e tij kushtuar kohës së UÇK-së, ku tregoi ngjarje të shkurta se si të rinjë e të reja, gra e burra, të rinjë e të moshuar, nuk hezituan t’i bashkohen luftës çlirimtare. Ndër tjerash, Gjenerali Lame përmendi edhe padrejtësinë e madhe që po iu bëhet ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen peng nga gjykata fashiste.
Skena u madhështua edhe me programin kulturo-artistik, nga të ftuarit e nderit, siç ishin Besiana Mehmedi dhe Shkëlzen Baftijari të cilët përpos himnit, ata u paraqitën edhe me një kolazh këngësh kushtuar Adem Jasharit dhe Shqipërisë, Deli Metaliaj dhe Albana Curri, me një valle duet, e mrekullueshmja Liliana Cingu me “Vallen e Rexhës”, Resmije Krasniqi me një kolazh këngësh, e poashtu edhe nga Sh.K.A. “SHARRI” u paraqitën me këngë Nesim Curri dhe Shefket Beqa, kurse me valle të ndara, performuan grupi i vajzave “Vallja e Çikave” dhe i djemve me “Vallja e Djemve” të SH.K.A. “SHARRI”.
Komuna e Hanit të Elezit, shpalli “QYTETAR NDERI” dy tropojanët tanë të dashur Deli Metaliaj dhe Skender Doshlani për kontributin e tyre shumëvjeçar për artin dhe kulturën në Han të Elezit. Deli
Metaliaj është koreograf dhe valltar i valleve tradicionale shqiptare, me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”, Skender Doshlani, kompozitor dhe autor i shumë këngëve shqiptare me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Poashtu, Komuna e Hanit të Elezit, ka filluar një bashkëpunim të shkëlqyer me solisten e Ansamblit Kombëtar të Valleve dhe Këngëve të Shqipërisë, “Mjeshtren e Madhe” Liliana Cingu nga Shqipëria, për të cilën Kryetari Ballazhi i ndau një mirënjohje për bashkëpunimin mes nesh.
Komuna e Hanit të Elezit falënderon Gjeneralin Kudusi Lame, Komandantin Ahmet Isufi, Kryetarin Besim Ilazi, Komandant Rafis Aliti, dhe të gjithë të ftuarit dhe të pranishmit e tjerë, të cilët padyshim ishin vlerë e shtuar për manifestimin e sotëm.
Në emër të Kryetarit Ballazhi dhe Komunës së Hanit të Elezit, ju urojmë Gëzuar Festat e Nëntorit.
Lavdia u takon të rënëve për liri, respekti qytetarëve!
LAVDI!