Republika e Kosoves

Hani i Elezit

Me akademi përkujtimore përkujtohen Dëshmorët Gafurr dhe Driton Loku

2019/02/21 - 9:08

Me akademi përkujtimore përkujtohen Dëshmorët Gafurr dhe Driton Loku

Në 20-të Vjetorin e Rënies të Dëshmorëve Gafurr dhe Driton Loku, Komuna e Hanit të Elezit në bashkëpunim me Shoqatat e Dalura nga Lufta e UÇK-së, organizuan akademi  përkujtimore për të përkujtuar Dëshmorët Gafurr dhe Driton Loku.

Akademia përkujtimore filloi në ora 15.00 me Homazh te Varrezat e Dëshmorëve në Puset e Nikës ku përfaqësues të institucioneve publike,  të Shoqatave  të  Dalura nga Lufta e UÇK-së, subjekteve politike e shumë qytetarë vendosën lule dhe nderuan dëshmorët e trevës së Hanit të Elezit.

Ndërsa akademia përkujtimore është mbajtë  në Shtëpinë e Kulturës “Imri Curri” në Han të Elezit e mbushur përplot mysafirë të cilët me prezencën e tyre dëshironin të nderonin veprën e Dëshmorëve Gafurr dhe Driton Loku.

Në hapje të akademisë Kryetari i Komunës Rufki Suma tha se sot kur shenojmë 20-vjetorin e rënies së Dëshmorëve Gafurr dhe Driton Loku kujtojmë 21 shkurtin e vitit 1999 kur dora e zezë kriminale vrau babë e bir Gafurr dhe Driton Loku.

Për pushtuesin serb vrasja e Gafurr dhe Driton Loku nënkuptonte frikësimin e popullatës , por në anën tjetër kjo vrasje vetëm sa mobilizoi edhe më tepër banorët e kësaj ane të cilët zgjeronin radhët e UÇK-së. Vrasja e Gafurrit me djalë ishte sinjal që edhe në këtë pjesë të Kosovës po fillojnë shkëndijat e para të luftës që kulmuan me sukseset e ushtarëve të UÇK-së bëri që shtabi i përgjithshëm të formojë brigadën 164 e cila u emërua në emrin e dëshmorit Gafurr Loku tha kryetari Suma.

Kjo  Akademia përkujtimore me me letë u përshëndet edhe nga Kryeaministri i Kosovës z.Ramush Haradinaj e cila u lexua nga këshilltari Avdulla Hasani,

Ndërsa në revokim të jetës së dhe veprës së Dëshmorëve Gafurr dhe Driton Loku Shaban Çupi tha se Veprimtaria e Gafurr Lokut në Kosovë është e thellë dhe e shumëanshme. Ai vepronte në rrafshin legal, nëpër subjekte të ndryshme, që u formuan në vitin 1990 dhe që ishin në dobi të çështjes, si në Këshillin Financiar për të mbajtur gjallë shkollën shqipe, në Shoqatën Bëmirëse ,,Nëna Terezë’’ për të mbijetuar masat e gjëra popullore, në Këshillin për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ndërsa ilegalisht mbante kontaktet me shokët e vjetër për organizimin e kryengritjes çlirimtare.

Gjatë rrugëtimit të tij jetësor, Gafurr Loku kishte arritur të kuptoj thellë gjendjen në të cilën ndodheshin shqiptarët. Pushtimet e gjata, kishin arritur që ta kërrusnin shqiptarin, kishin arritur të deformojnë ate në shumë fusha dhe dëshironin ta qonin drejt Golgotës. Fqinjët tanë jo vetëm që dëshironin zhdukjen tonë, por ata synonim të na e zhduknin edhe mendimin e rezistencës.

Vrasja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit dhe shumicës dërmuese të familjes së tij në marsin e vitit 1998, bënë që të shpërthejnë demonstratat gjithëpopullore në Kosovë dhe kudo që shtriheshin shqiptarët.

Me formimin e UÇK-së, në trevën e  Hanit të Elezit, Gafurr Loku ishte plotësisht në anën e saj, ishte anëtar i saj dhe lufta e tij kryesore ishte organizimi dhe mobilizimi ushtarak i të rinjëve në luftën për çlirim. Këtij mobilizimi ushtarak iu përgjigj edhe Driton Loku.

Në këto rrethana veprimi, derisa Gafurri ishte kthyer në shtëpi, nga një takim, që në të njëjtën ditë e kishte pasur në Prishtinë, ai edhe vritet më 21 shkurt të vitit 1999, bashkë me djalin e tij Dritonin i cili ditë më parë ishte kthyer nga Brigada,,Ymer Alushani’’ me qëllim që t`i bashkëngjitet forcave çlirimtare të UÇK-së në Puset e Nikës.

Vrasja e Gafurr e Driton Lokut, ishte shenja me e qartë se lufta po fillonte edhe në trevën e Hanit të Elezit, gjë që edhe ndodhi pesë ditë më vonë, më 26 shkurt të vitit 1999, por që të kalohet në Puset e Nikës.

Këtë akademi e nderuan me pjesëmarrje bashkëveprimtarët e Dëshmorit Gafurr Loku, Elmaz Ademi,Shpëtim Polozhani,Binak Vulaj dhe Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshorëve z.Xhavit Jashari.

Në emër të familje së Dëshmorëve Gafurr dhe Driton Loku të pranishmit për pjesëmarrje i falënderoi z. Rraman Loku vëllau i dëshmorit Gafurr Loku

Në këtë ngjarje përkujtimore me Mirënjohje u nderua Familja e Dëshmorëve Gafurr dhe Driton Loku, ndërsa akademia përkujtimore u përmbyll me program muzikorë të interpretuar Nesim Curri, Milaim Mezini dhe anëtarët e  SHKA “Sharri” nga Hani i Elezit