MALISHEVA
Llapushë është nocioni tjetër me të cilin është e njohur një pjesë e madhe e territorit të Komunës së Malishevës. Lashtësia e Malishevës si vendbanim dëshmohet edhe me prezencën e tumës ilire në vetë qendrën e Malishevës, dëshmi kjo që jep të kuptohet se Malisheva ka qenë vendbanim i hershëm ilir bashkë me vendbanimet tjera në komunë, që janë shtrirë përgjatë lumit Mirusha. Historikisht, qendra administrative politike ka ndryshuar edhe në aspektin e emërtimit edhe në aspektin e selisë. Në kohën e pushtimit turk të këtyre territoreve, përmendet Bajraku i Astrazupit, që për nga shtrirja shkonte deri në vijën hekurudhore prej Murës në veri e deri në Mrasor në perëndim. Më vonë e hasim emërtimin Rrethi i Rahovecit, që kapte të njëjtin territor.
Pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti lokal fillimisht u organizua në fshatin Banjë dhe në fshatin Kijevë, për tu transferuar pastaj më 1960 në Malishevë. Në këtë mënyrë Malisheva për herë të parë bëhet qendër administrative-politike. Më 1965 komuna e Malishevës shpërbëhet nga pushteti I atëhershëm jugosllav. Për herë të dytë komuna e Malishevës u formua si qendër komunale në vitin 1986, për të vazhduar deri në vitin 1991 kur pushteti serb e ka shpërbë përsëri. Pas luftës, me rregulloren e UNMIK-ut nr. 2000/45, Malisheva u formua prapë si njësi e pavarur komunale, .de jure. e barabartë me të tjera komuna në vend.