Republika e Kosoves

Skënderaj

Pozita Gjeografike

Pozita gjeografike e komunës së Skenderajt

 

Komuna e Skënderajt zë vend qendror në Drenicë, shtrihet në një sipërfaqe prej   378 km2. Në veri kufizohet me Komunën e Mitrovicës, në lindje me Vushtrrin, në jugëperëndim me Drenasin (Gllogovcin) dhe Klinën, ndërsa në përendim me Burimin (Istogun). Nëpër Komunë kalojnë rrugë të rëndësishme automobilistike të cilat e lidhin me qendrat e tjera të Kosovës.

Territori i Komunës së Skenderajt ka konfiguracion kodrinoro-malorë me lartësi mbidetare mesatare prej 500-700m, kurse pikën më të lartë e paraqet maja e Qyqavicës me lartësi 1 117 m.
Ka reliev të butë, përshkohet me lugina lumenjësh të vegjël, kryesisht dominon klimë e mesme kontinentale që karakterizohet me dimëra të ashpër, vera të thata me temperatura të larta e reshje të pakta, ndërsa ka një florë dhe faunë të pasur.

Në Komunën e Skënderajt banojnë mbi 72 mijë banorë ku 99% janë shqiptarë. Në strukturën e popullsisë kryesisht dominon mosha e re dhe atë: 47 % deri në moshën 20 vjeçare, 48 % nga 20-60 vjeçë, ndërsa vetem 5 % të moshuar mbi 60 vjeçë. Shtimi natyrorë ka një shkallë të lartë, mbi 28 promila me një shkallë të ulët të vdekshmërisë rreth 5 promila.

 

Komuna e Skënderajit si pozicion gjeografik gjendet në qendër të Kosovës, 50 km në veriperndim të kryeqytetit të Kosovës Prishtinës.
Skënderaji si komunë është i përshirë në regjionin e Mitrovicës dhe është 20 km në juglindje të këtij qyteti.

Komuna e Skenderajit është në qendër të Kosovës dhe kufizohet me këto komuna të Kosovës:

  • Në Veri me Mitrovicën
  • Në Veriperëndim me Burimin (Istogun)
  • Në Perëndim me Klinën
  • Në Juglindje me Drenasin
  • Dhe në Verilindje me Vushtrrinë

Nëpër Komunë kalojnë disa rrugë me karkter të rrugëve nacionale si:

  • Në pjesën veriore rruga Pejë- Mitrovicë, e cila ka akse Lindje – Perëndim.
  • Rruga Skënderaj- Drenas-Komoran -Prishtinë, ka aks Veri-Jug dhe është rrugë me karakter nacional
  • Me karkter të rrugës regjionale është rruga Skënderaj – Klinë.
  • Gjithashtu Skënderaji është i lidhur edhe me një rrugë të kategorisë së IV me qytetin e Vushtrrisë.

2.1.    Karakteristikat fizike –gjeografike

Karakteristikat gjeologjike
Sipas shënimeve të mëherëshme që janë shfrytëzuar për plane Urbanistike dhe të shënimeve tjera hulumtuese, toka e Komunës nga aspekti gjeologjik është e ndryshueshme ku mbizotrojnë argjilet laporike me thëngjill, me rërë dhe zhavor-pont, dhe në disa vendbanime toka është gëlqerore dhe humusore.

Karakteristikat Morfologjike
Komuna e Skënderajt gjendet në zonën ku lartësia mbidetare sillet prej 500 dhe 700 m. Me këtë lartësi ajo gjërësisht është e hapur nga jugu në drejtim të Drenasit dhe Fushës së Drenicës, me një hyrje në verilindje kah Mitrovica dhe në jugperëndim kah Klina, nga Rrafshi i Dukagjinit.

Në lindje të Skënderajt, ngritet terreni nga malet e Qyqavicës në një lartësi prej 1.091 m, ndërsa në veriperëndim me 1.117 m lartësi dhe me male të thata 1.750 m lartësi.

Në përgjithësi nga aspekti gjeomorfologjik mund të cekim se terreni i Komunës me vendbanime është i përshtatshëm dhe nuk paraqet ndonje faktor kufizues që do të pengonte shtrirjen e mëtejshme topografike.

Karakteristikat klimatike
Në komunën e Skënderajit si makroklimë mbizotëron klima kontinentale me verëra të nxehta dhe me dimëra shumë të ashpër dhe të ftohët. Meqënëse komuna ka një terren kodrinoro – malor me siguri ka edhe mikroklima të caktuara në pjesë të caktuara të territorit të saj, por në mungesë të një stacioni meteorologjik nuk ka të dhëna të sakta.Të dhënat për kushtet klimatike të komunës merren nga  stacioni meteorologjik i  Mitrovicës.

  • Temperatura mesatare vjetore është 10 shkallë Celzius
  • Muaji me i nxehët është Korriku dhe Gushti me 20.4 0C
  • Muji me i ftohtë është Janari me – 1.3 4 0C
  • Maksimumi absolut arrihet në Gusht me mbi 36.4 0C
  • Minimumi absolut arrihet në shkurt -25.24 0C.

Erërat dominante në Skenderaj kan�� drejtimin e veriperëndimit. Erërat verore dhe pranverore fryejn nga jugu. Shpejtësitë mesatare më të mëdha të erërave janë:

  • Perëndimore 9.3 m/sec;
  • Verilindore 4.2 m/sec;
  • Veriperëndimore 3.8 m/sec;
  • Jugore 2.8 m/sec dhe
  • Lindore1.6 m/sec.

Në komunë gjatë vitit të reshurat mesatare janë 604,8 mm

  • Vjetorja maksimale 850.9 mm (të reshura)
  • Vjetorja minimale 394.9 mm (të reshura)
  • Ditët më të hershme 5.11
  • Ditët më të vonshme 3.05

Lagështia relative mesatare vjetore e ajrit është 71.4%. Lagështia relative mesatare sipas stinëve në verë ështe 62.5 %, në pranverë 68.5 %, në vjeshtë 72.6 % dhe ne dimër 81.6 %.

Karakteristikat hidrografike
Terreni në të cilin është komuna e Skenderajt i takojnë slivit të Detit Adriatik. Në lindje të komunës rrjedh lumi Klina, rrjedha e majtë e  Drinit të Bardhë. Në lindje dhe juglindje rrjedhin lumejtë Sitnica dhe Drenica.

Lumi “Klina” buron në fshatin Kuqicë dhe përshkon territorin në aksin veri jug dhe kalon nëpër tërë territorin e Komunës si dhe në qendrën e qytetit të Skënderjat  me një rrjedhë të ngadalshme, me një thellësi mesatare dhe një gjatesi prej 40 km.

Gjithashtu nëpër territorin e komunës ka edhe një numër të madh përrockash të cilat në tërësi derdhen në lumin “Klina”.
Rrjedhat e lumenjëve nuk i rrezikojnë vendbanimet sepse ato deri më tani nuk kanë dalur nga shtrati i tyre.

Në territorin e Komunës së Skënderajit nuk egziston asnjë liqen, as natyrorë por as edhe artificial përpos disa rezervateve të ujit të cilët edhe ata janë në numër të vogël.

Karakteristikat Sizmike të Komunës

Komuna e Skënderajt bënë pjesë në dy zona sizmike:

Në zonën me dridhje prej VI shkallë të Rihterit dhe
Në zonën me dridhje prej VII shkallë të Rihterit 

Në zonën prej VI shkallë të Rihterit bënë pjesë 5/6 e sipërfaqes së përgjithshme të Komunës në përgjithësi. kryesisht pjesa përendimore e komunës.

Në zonën prej VII shkallë të Rihterit bënë pjesë 1/6 e sipërfaqes së përgjithshme të Komunës kryesihst pjesa lindore e komunës.
Në bazë të karakteristikave gjeodezike dhe karkteristikave të zonës sizmike të Skënderaji paraqet një mesatare të dridhjeve sizmike.

Karakteristikat pedologjike
Komuna e Skenderajt shtrihet në terrenin  me përbërje të llojllojshme pedologjike. Në bazë të shënimeve nga Plani Urbanistik i vitit 1974 shihet se territori i ngushtë i qendrës së qytetit ka një përbërje ranore, me prezencën e karbonateve, Aluvininë, ndërsa në pjesët tjera të terrenit të komunës përbërja e tokës është humusore dhe smonicë.
Kualiteti i tokës variron nga toka e klasit të parë deri te toka e klasit të V-stë.

Kategoritë e tokës

Sipas shënimeve katastrale dhe studimeve të mëhershme toka e komunës përfshihet në kategoritë I deri në VI si dhe tokën e pakategorizuar jopjellore (tokë shterrpë) Një pjesë shumë e vogël me afro 10 % të sipërfaqes së gjithmbarshme bënë pjesë në kategorinë e II-të dhe të I-rë, ndërsa pjesa dërmuese bënë pjesë në kat.e V dhe të VI.

2.3 Pasuritë natyrore të Komunës
Territori i Komunës së Skënderajt  në pikëpamje gjeologjike nuk është hulumtuar mjaft., kështu që janë të nevojshme hulumtimet e mëtutjeshme në këtë drejtim.

Territori që përfshin komuna e Skënderajit nuk ka hulumtime të mjaftueshme nga aspekti gjeologjik andaj të dhënat që do ti japim me sa vijon nuk janë të gjitha të dhënat për pasuritë nëntokësore që mundë t’i këtë komuna.

Në bazë të hulumtimeve që janë bërë deri më tani komuna ka këto pasuri nëntokësore:

  • Gurë gëlqerorë
  • Argjil i kualitetit të lartë për punimin e matrialeve ndërtimore
  • Plumb dhe Zing (këto të dhëna janë marrë sipas disa hulumtimeve burimore sesa në bazë të hulumtimeve shkencore) dhe së këto zona janë në fshatrat e Bajës dhe Syriganës.
  • Xehet e Nikelit

Duke u bazuar në faktin se minera e Feronikelit nuk është larg nga territori i komunës sonë sipas disa të dhënave ka shenja se edhe në fshatrat e komunës së Skënderajit siqë janë: Qirez, Baks, Prellovc etj ka xehe nëntokësore por që duhet të bëhet një hulumtim shkencor i saktë.

Thëngjill
Sipas hulumtimeve të viteve 1983/84 nga instituti “INKOS” në kuadër të KEK-ut është bërë një hulumtim ku këto hulumtime kanë ardhur në përfundim se në fshatrat Polac dhe Prekaz të komunës së Skënderajt ka rezerva të thëngjillit prej 7.000.000 tonë në thellësi prej 10-15 m.