Republika e Kosovës

Gjakovë

Nisin punimet për qarkoren e qytetit të Gjakovës

2018/11/16 - 6:39

Edhe zyrtarisht, sot kanë nisur punimet për ndërtimin e Qarkores së qytetit të Gjakovës, një projekt ky tejet i rëndësishëm për komunën tonë.
Në ceremoninë zyrtare, ka marrë pjesë edhe Kryeministri i Kosovës z. Ramush Haradinaj, Ministri i ministrisë së Infrastrukturës Pal Lekaj, Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe zyrtarë tjerë qeveritarë e lokal.
Në fjalën e tij me këtë rast, kryetari Gjini ka thënë se ky është një projekt i mirëseardhur për qytetarët e komunës së Gjakovës, ndërsa nga ana tjetër, ministri Pal Lekaj ka thënë se është i lumtur që një projekt i tillë po vije në Gjakovë në mandatin e tij.
Ndërkohë, duke folur para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj ka thënë se ky projekt është një borgj që shteti i Kosovës po e kthen karshi kontributit të madh që Gjakova dhe qytetarët e saj e kanë dhënë për shtetin.
Kryeministri ka thënë se investimet e qeverisë nuk do të përfundojnë këtu, pasi brenda pak ditësh pritet të fillojnë punimet edhe për segmentin Gjakovë – Dollc, rrugë që lidhë Gjakovën me Prishtinën, pastaj planifikohet nisja e stadiumit të ri të qytetit, kampusit universitar e deri tek investimet në Zonën Ekonomike Amerikane, projekt ky që synon ri ngritjen ekonomike të Gjakovës.
Ndryshe, si tërësi projekti për qarkoren e qytetit të Gjakovës do të kushtojë mbi 8 milion euro dhe do të përfundojë në vitin 2019, ndërsa vetëm Loti i parë në drejtimin e Prizrenit, i cili ka nisur sot, do të kushtojë rreth 2 milion euro.