Republika e Kosoves

Podujevë

Asfaltohen rrugë në lagje të qytetit dhe fshatra të Podujevës

2018/11/13 - 4:54

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar fshatin Peran, ku po bëhet asfaltimi i rrugës në lagjen e Sylevicëve.
Në kuadër të investimeve në infrastrukturën rrugore, janë duke u realizuar disa projekte në asfaltimin e rrugëve në disa lagje të qytetit dhe fshatrave në Komunën e Podujevës.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i shoqëruar nga Hamdi Jaha – drejtor i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, ditëve të fundit ka inspektuar punimet në asfaltimin e disa rrugëve.
“Asfaltimi i rrugëve nëpër lagje të ndryshme të qytetit dhe fshatrave vazhdon të mbetet prioritet në investimet kapitale, me qëllim të krijimit të kushteve për qarkullim më të lehtë të qytetarëve tanë”, tha kryetari Veliu gjatë inspektimit të punimeve në asfaltimin e rrugës në lagjen e Sylevicëve në Peran.
Krahas kësaj rrugë, ditë më parë janë asfaltuar edhe rrugët në qytet dhe në fshatrat Sfeçël, Balloc, Llaushë, Dumnicë e Epërme, Repë dhe Surkish.