Republika e Kosoves

Podujevë

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport takoi drejtorët e shkollave të Komunës së Podujevës

2019/02/13 - 6:25

Në sallën e Kuvendit Komunal sot u mbajt një takim i Rexhep Hotit -Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me drejtorët e shkollave të Komunës së Podujevës.
Në takimin, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Drejtorusë së Arsimit, Agim Blakçori, koordinatori Hoti prezantoi para të pranishmëve Programin Nacional për Rininë dhe rëndësinë që ka ky program për rininë. Ai tha se nuk ka investim më të rëndësishëm që mund të bëhet në një vend sesa investimi në rini.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se Programi Nacional për Rininë do të fillojë së implementuari më 19 shkurt të këtij viti me garën e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik. Kemi hartuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për garë në formë të udhëzueseve, që janë duke u shpërndarë nëpër shkolla. Pres mbështeje nga Podujeva për mbarëvajtjen e garave”, tha Koordinatori Hoti.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Agim Blakçori, i cili tha se drejtoria që ai udhëheq do të përkujdeset që implementimi i programit në komunën e Podujevës të shkoj në rregull.
“Ne, konkretisht kryetari i komunës sonë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Koordinatorin Hoti për këtë program dhe ne do t’i kryejmë obligimet tona. Do të përkujdesemi që i gjithë realizimi i programit të shkoj si është më së miri”, tha drejtori Blakçori.
Programi Nacional për Rininë përfshin të gjithë nxënësit e nivelit parauniversitar dhe universitar në Republikën e Kosovës në tri fusha: Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, Dituri dhe Sport.