Republika e Kosoves

Podujevë

Koordinohen aktivitetet për zbatimin e Strategjisë për mbrojte nga dhuna në familje

2019/03/01 - 3:55

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka pritur sot në takim  zëvendësministrin e Drejtësisë dhe Koordinatorin e Kosovës kundër Dhunës në Familje, Naim Qelaj, ku është diskutuar për koordinimin e aktiviteteve për parandalimin e dhunës në familje.
Në takimin e sotëm të nënkryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari me zëvendësministrin e Drejtësisë, Naim Qelaj,  u tha se në Kosovë ekziston infrastruktura ligjore dhe Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen nga  Dhuna në Familje,  por dhuna në familje në shoqërinë tonë vazhdon të jetë prezente.
Zëvendësministri Qelaj tha se në kuadër të koordinimit të aktiviteteve për parandalimin e dhunës në familje është e nevojshme të krijohen mekanizmat koordinues lokal, siç është përcaktuar në Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit 2016-2020.
Ndërsa nënkryetari Rudari tha Komuna e Podujevës në vazhdimësi ka trajtuar dukurinë e dhunës në familje përmes organeve të saj, siç është Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi dhe organet e institucionet e tjera lokale, me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie dhe raportimit të rasteve.
Në takim u tha se nevojitet angazhimi i të gjitha mekanizmave për vetëdijesimin e shoqërisë në parandalimin e dhunës në familje dhe në ndërmarrjen e masave për trajtimin e adekuat të viktimave të dhunës dhe të atyre që shkaktojnë dhunën.
Lidhur me ndërmarrjen e masave dhe koordinimin e aktiviteteve për parandalimin e dhunës në familje diskutuan edhe komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, zyrtarja për Barazi Gjinore, Naime Podvorica dhe zyrtaret nga Agjencia për Barazi Gjinore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesja e UNWOMEN që do të jetë edhe mbështetëse e mekanizmit koordinues lokal.