Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Veliu priti në takim komandantin e JRD-C të KFOR-it, kolonelin Perrone

2019/01/18 - 2:36

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në takim  komandantin e ri të Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra të KFOR-it (JRD-C), kolonelin Nicola Perrone, me të cilin bisedoi për gjendjen e sigurisë në Podujevë.
Në takimin e sotëm Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, e uroi kolonelin Nicola Perrone për marrjen e detyrës së komandantit të Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra (JRD-C) të KFOR-it dhe njëkohësisht ka falënderuar komandantin e deritashëm, kolonelin Antonello Catalano, për bashkëpunim dhe angazhimin në garantimin e sigurisë për qytetarët e Kosovës.
Gjatë takimit u bisedua për situatën e përgjithshme në vend,  në veçanti për atë të sigurisë, me theks të veçantë në Komunën e Podujevës .
Kryetari Veliu dhe koloneli Perrone vlerësuan se gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës vazhdon të jetë e qetë dhe stabile.
Edhe me këtë rast Kryetari Veliu vlerësoi angazhimin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, duke shprehu gatishmërinë e plotë për vazhdimin e bashkëpunimit.
“Edhe me këtë rast dua të falënderoj KFOR-in për kontributin që po jep në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Në këtë aspekt edhe Komuna dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë, si dhe vetë qytetarët, vazhdojnë kultivojnë raporte të mira bashkëpunimi me KFOR-in. Kjo ka bërë që të kemi një gjendje të mirë të sigurisë”, tha Kryetari Veliu.
Kryetari Veliu tha se ky bashkëpunimi e mirë me KFOR-in ta vazhdojë edhe gjatë në të ardhmen, pra edhe gjatë mandatit të komandantit të ri të JRD-C, kolonelit Perrone.
Koloneli Perrone duke falënderoi kryetarin Veliu për bashkëpunimin e deritashëm me KFOR-in, shprehu përkushtimin e thellimit të bashkëpunimit me Komunën dhe institucionet e tjera në sferën e sigurisë dhe në fusha të tjera, me interes për qytetarët e Komunës së Podujevës.