Republika e Kosoves

Podujevë

Kuvendi diskutoi për gjendjen në arsim

2022/05/20 - 4:58

Nën udhëheqjen e kryesuesit të kuvendit komunal, Hilmi Hoxha, dhe në prezencën e anëtarëve të ekzekutivit dhe asamblistëve, është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Podujevës, ku u diskutua me temën “Gjendja e rëndë e arsimit në Komunën e Podujevës”.

Seanca e jashtëzakonshme ishte thirrur nga Grupi I këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndaj për temën e vetme të rendit të ditës, qëndrimin e grupit e paraqiti, Qendrim Softolli.

Në fjalën e tij dha arsyet e thirrjes së seancës, ku tha se kanë të bëjnë me keqpërdorimet në procesin e rektutimit të stafit arsimor, mospërfilljen e kritereve në konkurse, deri te ndërhyrja në menaxhimin e shkollave. Ai tha se për t’i realizuar të gjitha këto punësime të cilat janë edhe me motive politike e familjare, drejtori i Arsimit ka shkelur një varg ligjesh të cilat e rregullojnë çështjen e punësimit në Kosovë.

Në emër të Grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, u deklarua shefja e Grupit, Adelina Stublla, e cila tha se janë të vetëdijshëm për gjendjen e arsimit në komunë, por qeverisja lokale ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar kushte më të mira dhe arsim më cilësor. Ajo përmendi investimet në infrastrukturë shkollore, në kabinete dhe në pjesën e sigurisë së nxënësve dhe mësimdhënësve.

Për këtë temë foli edhe shefi i grupit të PDK-së, Bashkim Syla, ku tha se qeverisja lokale e ka prioritet arsimin dhe ne po i shohim investimet përditë në shkollat e Podujevës që kanë synim ngritjen e cilësisë.

Për këtë temë diskutoi edhe Gazmend Islami, nga Balli Kombëtar Demokrat (BKD) i cili kërkoi që debati të koncentrohet ne temën e parregullsive në arsim, ndërsa Mrika Thaçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se gjendja në arsim në Podujevë dhe në Kosovë nuk është e mirë dhe dëshmi për këtë përmendi grevën e punëtorëve të arsimit, e cila po mbahet sot.

Në fjalimin me përgjigjje dhe sqarime për çështjet që u ngritën drejtori I Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, tha se qeverisja lokale që udhëhiqet nga Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka prioritet arsimin, ai dha sqarime në lidhje me konkurset dhe akuzat që u ngritën dhe theksoi se të gjitha këto janë bërë në harmoni me ligjin, dëshmi përmendi faktin që nuk ka ankesa për këto procese.
Ai gjithashtu listoi edhe investimet mbi një million euro të cilat janë realizuar në sektorin e arsimit, nga buxheti i komunës dhe në bashkëpunim me donatorët e ndryshëm.

Në përgjigje e sipër të drejtorit Fetahu, pati një eskalim, pasi asamblisti nga radhët e LDK-së, Ekrem Rrahmani hodhi ujë në drejtim të drejtorit Fetahu dhe pas këtij veprimi ekzekutivi dhe grupet e këshilltarëve të pozitës braktisën seancën.

Pas pauzës 20 minutëshe, kuvendi rifilloi punimet, me kërkim faljen e asambleistit Rrahmani. Pas të gjitha fjalimeve të asambleistëve të lajmëruar, kuvendi mbylli punimet.