Republika e Kosoves

Podujevë

Kuvendi i Komunës së Podujevës shqyrtoi Raportin e Auditorit të Përgjithshëm dhe Raportin financiar janar-shtator

2018/11/02 - 4:50

Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka shqyrtuar  Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Podujevës për vitin 2017, Raportin Financiar  për periudhën janar – shtator dhe ka miratuar disa vendime me interes.
Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi  kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive.
Në mbledhjen e sotme këshilltarja komunale Mrika Thaçi njoftoi Kuvendin se nga kjo mbledhje nuk do të jetë më pjesë e grupit të këshilltarëve të LDK-së dhe se aktivitetin e saj politik dhe mandatin e saj të këshilltares do ta ushtrojë si anëtare e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, ka folur për Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017 si dhe për plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dala nga ky raport.
Drejtori Isufi tha se opinioni i Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Podujevës për vitin 2017 është opinion  i  pa modifikuar me theksim të çështjes.
“Sipas  opinionit  të auditorit  pasqyrat  vjetore  financiare  prezantojnë  pamje të drejtë  dhe  të vërtetë  në  të  gjitha  aspektet material të pranimeve  dhe pagesave si dhe të  buxhetit të realizuar të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar me 31.12.2017 në përputhje me standardet ndërkombëtare te kontabilitetit për shërbimin publik të kontabilitetit në para te gatshme Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë dhe rregulloren financiare të Ministrisë së financave për pasqyrat vjetore financiare”, tha drejtori Latifi.
Drejtori Latifi tha se një opinion i pamodifikuar  jepet  atëherë kur Auditori është i kënaqur në te gjitha  aspektet  materiale.
“Theksimi i çështjes, sipas auditorit ka ndodhur, për dy defekte te shpalosja e pasqyrave financiere  te pasuritë dhe llogaritë e arktueshme”, tha Latifi.
“Nëse komuna  e  merr  opinionin e  të pamodifikuar  atëherë   tatimpaguesit  mund  të  jenë  të  kënaqur,  sepse  taksat  e  tyre   po përdoren  në  mënyre  korrekte”, tha drejtori Latifi.
Lidhur me Auditorit të Përgjithshëm diskutuan këshilltarët Avni Fetahu-shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Bajram Ajeti nga LVV, Fatmir Rudari nga PDK, Adnan Zymberi nga LDK, Bashkim Syla nga PDK, Rafet Llapashtica nga PDK. Gjatë diskutimeve të tyre këshilltarët kryesisht prezantonin të gjeturat e nga Raporti i Auditorit dhe jepnin komentet e tyre.
Lidhur me pikën tjetër të rendit te ditës, raporti Financiar  për periudhën janar – shtator 2018, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi në Kuvend një pasqyrë të aktiviteteve financiare të zhvilluara gjatë  periudhës janar-shtator 2018.
“Shpenzimet e buxhetit për ketë  periudhe kanë arritur shumën prej 11,908,637 euro dhe atë: për paga 8,807, 072.00euro, mallra e shërbime 808,787.00 shpenzimet komunale 215,981.00 euro subvencione 217,066,00 euro dhe investime kapitale 1,859,732,00 euro, ose shprehur në përqindje janë shpenzuar 55.7.5% e buxhetit të planifikuar”, tha drejtori Latifi.
Drejtori Latifi tha se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ka një rritje të shpenzimit të buxhetit për 1.52 % në total.
“Inkasimi i të hyrave vetanake komunale për periudhën janar –shtator është 902,407,00 euro ose 58% e planit vjetor, që krahasuar me periudhën e njëjtë  të vitit 2017 është për 9.23% më e ulët”, tha drejtori Latifi.
Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës këshilltarët kanë bërë vërejtje për shkallën e ulët të shpenzimit të mjeteve për investime kapitale.
Kuvendi në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për dhënien e pronave të paluajtshme në shfrytëzim afatshkurtër Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike – KEDS.
Kuvendi gjithashtu miratoi vendimin për caktimin e lokacionit me destinim për deponimin, trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinave të krijuara nga ndërtimet dhe demolimet e objekteve ndërtimore.
Kuvendi vendosi ta shtyjë për mbledhjen e ardhshme shqyrtimin e propozim vendimit për shpallje interes publik (ndërtimi i rrugë përgjatë brezit të lumit Llap në Qytet)
Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe vendimin për ridestinimin e objektit “Pushimorja për fëmijët bonjak” në fshatin Orllan dhe formoi Komitetin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.