Republika e Kosoves

Podujevë

Kuvendi nuk miratoi rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje për barazinë gjinore

2019/03/11 - 3:47

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur me kërkesën e 13 këshilltarëve të Kuvendit, në të cilën është debatuar lidhur me barazinë gjinore.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Podujevës, të cilën e udhëhoqi  kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, e ku ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive, u diskutua për rekomandimet e deklaratës për adresimin e pabarazisë gjinore dhe veprimet që duhet të përmbushen në funksion të barazisë së plotë gjinore.
Në emër të propozuesit, me nënshkrimin e 13 këshilltarëve për thirrjen e kësaj mbledhjeje këshilltarja e Lëvizjes Vetëvendosja, Doruntina Hasani, arsyetoi rekomandimet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosja lidhur me çështjen për të cilën është thirrur kjo seancë, që kishte të bëjë me barazinë gjinore.
Lidhur me këtë çështje, grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje i ka propozuar Kuvendit për miratim këto rekomandime:
1. Gjatë planifikimit të buxhetit të Komunës të zbatohet mekanizmi për Buxhetim të Përgjegjshëm Buxhetor;
2. Të fuqizohet Zyra për Barazi Gjinore përmes buxhetit shtesë, të miratohet Plani Gjinor i Veprimit dhe të raportojë në Kuvend Komunal një herë në vit për punën dhe aktivitetet;
3. Të përkrahen gratë në biznes dhe subvencionim i iniciativave lokale të grave;
4. Formimi i Komitetit për Barazi Gjinore si trup e Kuvendit Komunal;
5. Të formohet mekanizmi koordinues kundër dhunës në familje;
6. Masa parandaluese dhe dënuese ndaj gjuhës diskriminuese ndaj grave në institucionet lokale;
7. Raportim në baza vjetore pranë Kuvendit Komunal nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, Qendra për Punë Sociale dhe Komandanti i Stacionit Policore lidhur me rastet e dhunës në familje dhe jashtë saj;
8. Përkrahje financiare strehimores së viktimave të dhunës në familje dhe mbështetje për viktimat e dhunës;
9. Identifikim dhe përkrahje për nënat vetushqyese;
10. Të organizohen aktivitete të ngjashme si ajo “Java e gruas” ose “Java kundër stigmës” në nivel komunal.
Ndërsa shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu, tha se çështjet dhe pikat e propozuara si rekomandime janë të rregulluara me ligjet dhe rregulloret në fuqi, që kanë të bëjnë me përfaqësimin gjinor.
Edhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, vlerësoi se nëntë nga 10 rekomandimet janë çështje që zbatohen  në institucione në bazë të ligjeve në fuqi. Llpashtica propozoi që iniciuesi i kësaj mbledhje të dalë me dy rekomandime, që kanë të bëjnë me formimin e një Komiteti për Barazi Gjinore dhe organizimin e “Javës së gruas”.
Lidhur me këtë çështje diskutuan edhe këshilltarët Adnan Zymeri (LDK), Adelina Stublla (LVV), Arlinda Kadriu (LDK), Hasan Ajeti (LDK) dhe Arbër Blaku (PDK).
Pas diskutimeve  Kuvendi nuk miratoi rekomandimet e grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje  në bazë të deklaratës për adresimin e pabarazisë gjinore dhe veprimet që duhet të përmbushen në funksion të barazisë së plotë gjinore.