Republika e Kosoves

Podujevë

Miratohet buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2023

2022/09/29 - 6:45

Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt të udhehequr nga kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, anëtarët e ekzekutivit dhe asamblistët.

Gjatë mbledhjes së sotme u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës si; Buxheti Komunal për vitin 2023 prej 27.406,567.00 euro, propozim vendimin për ri-alokimin e investimeve kaptiale të Komunës për vitin 2022, propozim rregullorja për orarin e punës së bizneseve në territorin e komunës së Podujevës si dhe u miratuan pika tjera të rendit të ditës në interes të qytetarëve të Podujevës.

Para fillimit të votimit të rendit të ditës, fjalën e mori shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Valon Demolli, i cili shprehu pakënaqësi rreth procesit të organizimit të mbledhjes dhe tha se udhëheqja komunale ka treguar arrogancë të numrave, si rezultat i kësaj pakënaqësie njoftoi që asamblistët e Lidhjes Demokratike do të lirojnë sallën, duke pasuar veprim i njëjtë edhe nga asamblistja e AAK-së, Mrika Thaçi, e cila ftoi grupin e asamblistëve të Aleancës të lirojnë sallën e mbledhjes, por që nuk gjeti përkrahje nga kolegët e grupit dhe si e tillë ajo vazhdoi duke u larguar nga salla.

Draftin e projekt buxhetit e prezantoi drejtori i Drejtorisë së Financave, Fatlum Osmani, duke theksuar rritjen e konsiderushme të buxhetit për rreth 4 milionë euro në vitin e ardhshëm, duke u fokusuar dhe prioritetizuar fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, zhvillimit ekonomik dhe projekteve për zhvillim infrastrukturor.

Drejtori Osmani duke dhënë shpjegime për rritjen në secilën kategori të buxhetit gjithashtu iu përgjigjë edhe pyetjeve nga anëtarët e asamblesë, ku pas diskutimeve të anëtarëve, me vënien në votim nga kryesuesi Hilmi Hoxha, u miratua me 19 vota pro, buxheti prej 27.406,567.00 euro.

Në emër të grupeve parlamentare folën Qëndresë Hajrizi(VV) Bashkim Syla(PDK) dhe Burim Hasani(AAK).

Propozim vendimin për ri-alokimin e investimeve kapitale të Komunës për vitin 2022, gjithashtu e prezantoi drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ku theksoi se mjetet buxhetore sipas këtij vendimi në kategorinë ekonomike, investime kapitale, kodi 30, bëhet për arsye se në disa kode të projekteve ka tepricë të mjeteve, ndërsa në disa tjera ka mungesë. Ky projekt propozim u mbështet nga anëtarët e asamblesë dhe si i tillë u miratua.

Propozim Rregullorja për orarin e punës së bizneseve në territorin e Komunës së Podujevës u prezantua nga drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Vigan Salihu ku foli për dispozitat e përgjithshme të rregullores, duke prezantuar qëllimin, përkufizimet, oraret e punës së bizneseve, rregullore e cila mori mbështetje nga anëtarët e asamblesë dhe si e tille u miratua.

Ndërsa, Propozim Vendimi për vënie në diskutim publik – Draft Strategjia e Zhvillimit Ekonomik Lokal-SZHEL 2023-2025, Propozim vendimi për vënie në diskutim publik – Draft Plani i Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban, Propozim vendimi për vënie në diskutim publik – Draft Rregullorja për Bonuset e Zonimit, Propozim vendimi për vënie në diskutim publik – Draft Rregullorja për Transportin e udhëtarëve me automjete taksi, Propozim vendimi për vënie në diskutim publik – Draft Rregullorja për Transportin rrugor në territorin e Komunës së Podujevës dhe Propozim vendimi për vënie në diskutim publik – Propozim Vendimi për caktimin e rrjetit të linjave urbane, urbano-periferike dhe orarin e qarkullimit u mbështetën me nga 18 vota pro për kalim në diskutim publik.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi prezantoi informatë për aktivitetet e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi -KKSB- për vitin 2022 dhe prezantoi planin e punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi – KKSB, për vitin 2023 – Kalendari i aktiviteteve të rregullta, plan i cili u mbështet u miratua nga anëtarët e asamblesë.

Asamblisti nga radhët e Vetëvendosjes, Artrit Mulliqi, foli për pikën e rendit të ditës “Matjen e Performacës së Komunës për vitin 2020”. Ndërsa sa i përket pikës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit Komunal të aksionarëve të ndërmarrjes Publike-Stacioni i Autobusëve Podujevë, pas ofrimit të dorëheqjes nga njërit prej anëtarëve te komisionit nga radhët e Kuvendit të Komunës, Fitim Muçolli, me propozimin e shefes së grupit të LVV, Adelinë Stublla, anëtari në dorëheqje do të zëvëndësohet me anëtarin e ri, Kasib Bashota.

29.09.2022, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim