Republika e Kosoves

Podujevë

Në Podujevë po zbatohen vendimet dhe rekomandimet për masat preventive ndaj coronavirusit

2020/03/18 - 11:55

Komisioni komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19 në takimin e mbajtur sot ka shqyrtuar situatën dhe zbatimin e masave mbrojtëse, pas konfirmimit të dy rasteve të personave të infektuar me Coronavirus.

Në takimin e Komisionit komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, të cilin e udhëhoqi nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, u tha se në gjendjen e krijuar, pas konfirmimit të dy rasteve me të infektuar me coronavirus, po veprohet në përputhje me vendimin Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe rekomandimet e IKSHPK, për ndërmarrjen e masave preventive.

Në takim u tha se ekipi mjekësor i QKMF, i udhëhequr nga Dr. Bedrie Rama – epidemiologe, pas vizitës që i ka bërë familjes në Dumicë, me rastin e konfirmimit të rastit të parë me COVID-19, vazhdimisht është në kontakt me familjen.

Ekipi mjekësor është në dispozicion të familjes gjatë 24 orëve, kurse të hënën me autoambulancën e QKMF është dërguar në Klinikën Infektive pacienti 82 vjeçar nga kjo familje, kurse të martën nga ekipi i QKMF është dërguar në Infektive edhe familjari i tretë, i dyshuar me COVID-19. Kjo familje është ndihmuar me gjatë pako higjienike

Komuna e Podujevës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në përputhje me vendimin Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe rekomandimet e IKSHPK, për ndërmarrjen e masave preventive.

Është duke vazhduar me dezinfektimin e hapësirave publike, ndërsa sot do të bëhet dezinfektimi i lagjes në të cilën është familja me personat e infektuar me COVID-19 si dhe i ambulancës në Dumnicë.

Pas konfirmimit të rastit me coronavirus në Dumnicë të Poshtme, me vendimin e Qeverisë në fshatrat Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme dhe Llaushë, po aplikohet masa e karantinës. Ndërsa, në takimin e sotëm të Komisionit u kërkua nga Qeveria të shqyrtojë mundësinë që masa e karantinës të reduktohet vetëm në fshatin ku është familja me anëtarët e prekur nga COVID-19.

Shqetësuese në këtë situatë është edhe prania e madhe e qenve endacakë në qytet dhe nëpër fshatra, të cilët po rrezikojnë jetën e qytetarëve. Andaj kërkohet nga Qeveria dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit e Kosovës që të ndërmarrin masa urgjente lidhur me këtë çështje.

Një dukuri tjetër shqetësuese është edhe djegia e kullosave, hamulloreve dhe pyjeve, duke ndotur ambientin dhe dëmtuar pronën, publike e private.

Apelohet te qytetarët që të mos ndërmarrin veprime të tilla, të ndezjes së zjarreve, që rrezikojnë shëndetin dhe dëmtojnë pronën, sepse ndaj tyre do të ndërmerren masa gjobitjeje sipas ligjit.

Inspektorët komunalë vazhdimisht janë në terren dhe po përcjellin zbatimin e vendimit të qeverisë, për mbylljen dyqaneve dhe lokaleve hoteliere.

Nga qytetarët kërkohet t’i shmangin lëvizjet e panevojshme, të marrin masat mbrojtëse si dhe të ruajnë qetësinë publike, kurse rastet e dyshuara të vetizolohen dhe të kërkojnë asistencë profesionale shëndetësore.

Për çdo shqetësim apo problem shëndetësor qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën e Emergjencës të QKMF në Podujevë në të numër telefoni 038 571 912.