Republika e Kosoves

Podujevë

Në shkollën Fan S. Noli do të hapet Qendra e Karrierës

2022/05/19 - 3:56

Falë marrëveshjes së nënshkruar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi me ministren e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe përfaqësuesit të Projektit Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE), komuna e Podujevës do të bëhet me Qendër të Karrierës.

Kryetari Bulliqi u shpreh i lumtur që një projekt i tillë po realizohet në Podujevë bazuar në rëndësinë që ka orientimi në karrierë për nxënësit e shkollave profesionale.

Me këtë rast kryetari Bulliq tha se “Kjo qendër do të vendoset në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesionel Fan. S. Noli në Podujevë, ndërsa qëllimi bazë i themelimit të saj është rritja e cilësisë në këtë institucion, dhe ofrimi i mundësive për krijimin e kuadrove të nevojshëm për tregun e punës”.

Bazuar në obligimet që burojnë nga kjo marrëveshje, Komuna e Podujevës përmes Drejtorisë së Arsimit do të caktohen dy mësimdhënës me normë të plotë.

Shkolla Fan S. Noli do të sigurojë hapësirat ndërsa komuna në bashkëpunim me partnerin financues EYE do të bashkë investojnë në krijimin e kushteve bashkëkohore për zhvillimin e aktiviteteve të parapara në kuadër të kësaj qendre, përfshirë edhe pajisjet e teknologjisë dhe inventarin e nevojshëm.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes të gjithë partnerët, përfshirë edhe përfaqësuesin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) u shprehën të gatshëm për bashkëpunim në realizimin e suksesshëm të obligimeve që burojnë nga marrëveshja e nënshkruar.