Republika e Kosoves

Podujevë

U bë hapja e ekspozitës individuale “Lotët e Qiellit” e piktorit llapjan Faton Aliu

2011/10/06 - 12:00

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë mbrëmë u bë hapja solemne e ekspozitës personale të piktorit të ri nga Podujeva Mr. Faton Aliu me emrin “Lotët e Qiellit”. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zyrtarë të komunës së Podujevës, e ndër edhe nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, përfaqësues nga Ministria e Kulturës, artdashës të shumë dhe qytetarë nga Prishtina e Podujeva.
 Fjalën e rastit e mori kritiku i artit Mr. Bislim Aliu i cili mes tjerash tha: “S’do mend se kreativiteti artistik i çdo krijuesi është veti e lartë e tij. Këtë veti, mbase drithëruese, e kanë vetëm ata krijues, të cilët ndjeshëm e përjetojnë artin dhe shijen e lartë estetike, Që dinë të komunikojnë dhe që e shpërfaqin të bukurën artistike. Dhe, padyshim, në këtë shpërfaqje, tejet sensitive dhe përmbajtjesore bënë pjesë edhe kreativiteti rezonues i piktorit të ri she shumë të talentuar Faton Aliu. Në këtë ekspozitë, mbase të parën individuale, piktori i ri paritet me ciklet: “Universi”, “Peizazhet në Univers”, “Lotët e Qiellit” dhe “Milingonat”. Ai këtë ndjesi e realizon bukur me një surrealizëm lirik dhe fare përmbajtjesor. Këto piktura të ekspozuara, në shtjellimin e vet i kanë vuajtjet, dashurinë, por njëherë edhe dhembjen që shpërfaqen me ngjyra melankolike. Veprat e prezantuara në këtë ekspozitë, tregojnë qartas dhe na japin shpresën për një arritje tejet të suksesshme në artin e tij”.
 Më pas piktori llapjan Faton Aliu para një numri të madh të pjesëmarrësve u shpreh i kënaqur dhe falënderues për këtë interesim të artdashësve për të respektuar krijimtarinë artistike të pikturës, dhe në këtë rast krijimtarinë e tij të kësaj ekspozite individuale.
 Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 15 tetor të këtij viti.

Bislim Aliu: Këto piktura të ekspozuara, në shtjellimin e vet i kanë vuajtjet, dashurinë, por njëherë edhe dhembjen që shpërfaqen me ngjyra melankolike. Veprat e prezantuara në këtë ekspozitë, tregojnë qartas dhe na japin shpresën për një arritje tejet të suksesshme në artin e tij